Nga Agaçi, Braçe e deri tek Veliaj / Në PS 'fërkojnë' duart për largimin e “Tigrit” nga qeveria

25 July 2022, 12:43Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nga Agaçi, Braçe e deri tek Veliaj / Në PS
Erjon Braçe, Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj. Fotomontazh: Vox News

Që Arben Ahmetaj do të shkarkohej ishte një çështje ditësh.

Vonesa erdhi vetëm për shkak se në Presidencë ishte Ilir Meta dhe ai do ta refuzonte një dekret shkarkimi.

Për këtë Edi Rama zgjodhi që të priste sapo Bajram Begaj të futej në presidencë dhe t’i dërgonte ‘fermanin’ me kokën e Ahmetajt.

Rama këtë lëvizje e bëri dhe si simbolikë për t’i treguar ish zëvendësit të tij se ai ka qenë pjesë e LSI dhe donte ta hiqte bashkë me Ilir Metën.

Burime për Vox News bëjnë me dije se në PS të gjithë flasin për faktin se Ahmetaj ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Metën për të dëmtuar qeverinë Rama dhe kryesisht linjën e Erion Veliajt.

Siç kemi shkruar më parë, dosjen e inceneratorëve te LSI e ka çuar Ahmetaj dhe për këtë u ‘amnistua’ nga sulmet e Metës.

Madje nëse vini re çdo detyrë që lidhej me Ahmetajn amnistohej nga LSI, kujtojmë rindërtimin që është ndër sektorët më abuzivë, apo dhe blerjen e ilaçeve të Covid-19.

Kryemadhi dhe shpura e saj ndaj këtyre skandaleve mbyllte sytë.

Por tashmë Ahmetaj iku dhe në Partinë Socialiste kanë nisur të ‘fërkojnë’ duart.

I pari që doli publikisht ishte Erjon Braçe që me ironi tha se ‘globi rrotullohet’.

Kujtojmë se Ahmetaj i zuri vendin Erjon Braçes dhe e sulmoi shpesh me goditje poshtë brezit.

Rasti më flagrant ishte kur përgjimet italiane nxorën emrin e zëvendëskryeministrit në aferën e pastrimit të parave ku ishte i përfshirë biznesmeni Rezart Taçi.

Ahmetaj duke përdorur një deputet të PD i njohur për inskenime nxori në publik se emri i zëvendëskryeministri ishte i Erjon Braçes, edhe pse ngjarja ishte zhvilluar në tetor 2021, kohë kur në detyrë ishte Ahmetaj.

Braçe tentoi dhe reagoi në media atë kohë, por në publik ngeli se i përfshirë ishte ai. (LEXO KËTU)

Por Ahmetaj armiqtë në PS i ka të shumtë për shkak të makinacioneve që ka bërë kundër tyre.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka qenë një tjetër figurë e PS që ka pësuar nga skemat e Ahmetaj.

Afera më e rëndë që është akuzuar qeveria Rama është ajo e inceneratorëve.

Siç thamë më lart Ahemtaj ka qenë personi kyç në këtë denoncim edhe pse vetë ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë.

Vox News ka publikuar dokumente origjinale ku Ahmetaj në rolin e ministrit ka firmosur për inceneratorët, por në kallëzimet e LSI emri i tij nuk figuron.

Ahmetaj e ka bërë që të ‘digjte’ Veliajn dhe për të fituar grupimi i tij në PS.

Kujtojmë që selia rozë aktualisht ka një luftë të ashpër mes grupit që përfaqëson Veliaj dhe një grupimi tjetër që përfaqësohet nga Ahmetaj, Balluku dhe Balla.

Po ashtu dhe Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë ka qenë një tjetër figurë që ka pritur me të kënaqësi ikjen e Ahmetajt.

Në rastin e inceneratorëve LSI atë e ka goditur shumë fortë, edhe pse ai ka bërë një mbrojtje të mirë në Komisionin Hetimor.

Ikja e Arben Ahmetajt ka bërë që klani i tij të marrë një goditje të fortë, ndërsa zërat se ai do të kalojë në frontin e Ilir Metës nuk kanë munguar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video