Botuesi paralajmëron izolimin edhe të Metës. Pse Kryemadhi nuk foli për sanksionin britanik?

22 July 2022, 18:18Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Botuesi paralajmëron izolimin edhe të Metës. Pse Kryemadhi nuk
Berisha, Kryemadhi dhe Basha

Botuesi Mero Baze në një editorial të ditës së premte ka paralajmëruar se Presidenti në detyrë pas datës 24 korrik do të ketë fatin e Berishës.

Baze shkruan se “aleati politik i Sali Berishës, Ilir Meta një tjetër personazh po kaq i izoluar nga Perëndimi që deri të dielën mbrohet me jelekun antiplumb të presidentit të Shqipërisë, është po kaq i padëshirueshëm në perëndim sa Sali Berisha.

Ai ka kohë deri pasnesër të ndaj dekorata dhe të shkëmbej eksperienca gastronomike, apo dietike me Vjosa Osmanin, të cilës e vetmja kurë që i bën mirë, është kur derdh helm për Shqipërinë, por pas së dielës, ai është po ashtu një shënjestër e izolimit nga Perëndimi.

Për këtë arsye Shqipëria nuk ka luks të bashkoj opozitën rreth një formacioni antiperëndimor

Të sfiduarit e perëndimit në emër të opozitës, e kthen Shqipërinë në një vend ku Lindja lufton me perëndimin si raport elektoral. Edhe pse ata mbeten në opozitë serish kjo është një gënjeshtër pasi opozita e tyre dhe votuesit e tyre nuk janë të gjithë antiperëndimor dhe nuk duhen lënë të identifikohen me hallet e dy njerëzve.”

Sali Berisha ditën e sotme pranoi publikisht se britanikët ashtu si dhe amerikanët e kanë shpallur person të padëshiruar.

Berisha lexoi letrën e marrë nga sekretari i brendshëm britanik, i cili i ndalon atij hyrjen në Britani, ndërsa zbuloi edhe arsyet e këtij vendimi.

Lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë si edhe korrupsion për pasurimin e tij dhe njerëzve pranë tij, ishin dy arsyet që çuan në vendimin e qeverisë britanike, të cilat Sali Berisha i lexoi për mediat.

Ashtu si me SHBA, Berisha tha se vendimi i qeverisë britanike, është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros dhe se do të konsultohet me avokatët e tij për hapat që do të ndjekë.

Ajo që u vu re sot është heshtja e partisë së familjes Meta-Kryemadhi.

Kur një vit më parë amerikanët e shpallën Berishën non grata Meta i pari dhe Kryemadhi e dyta nuk nguruan të dilnin dhe ta mbështesnin publikisht duke akuzuar Ramën dhe Bashën si autor të vendimit.

Këtë herë të dy kanë heshtur. Arsyet nuk dihen. Në media kanë nisur aludimet në lidhje me qëndrimet e tyre.

Ata vetë nëpërmjet emisarëve që kanë në media kanë hedhur tezën se ndërkombëtarët i kanë kërkuar që të mos jenë bashkë me Berishën dhe s’do kenë asnjë sanksion.

Por në media jo rrallë kanë dalë fakte se Ilir Meta ka prona në Angli, madhe dhe fëmijët i ka të shkolluar atje.

Një dalje kundër Britanisë ndoshta do t’i kushtonte jo vetëm politikisht, por dhe ekonomikisht.

Në vijim fati i familjes Meta do të shihet më qartë. Punën që nuk po e bën SPAK po mundohen ta bëjnë kancelaritë perëndimore.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video