Berisha, Berisha, por Rama po bën kërdinë

22 July 2022, 19:00Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha, Berisha, por Rama po bën kërdinë
Sali Berisha dhe Edi Rama

Shënim: Për të gjitha akuzat që i janë hedhur ndër vite, Sali Berisha e meriton shpalljen non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Mund të meritojë edhe burgun nëse hetohet, gjykohet e dënohet nga një drejtësi e pavarur. Por, ndëshkimi i tij një dekadë pasi ka ikur nga pushteti është ‘drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar’.

Berisha është shpallur non grata për afera madhore korruptive gjatë qeverisjes, ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe minim të shtetit të së drejtës. Sipas asaj që deklaroi vetë ish-Kryeministri në konferencën për shtyp të kësaj të premteje, njëri prej rasteve lidhej me Damir Fazlliç.

Berisha akuzohet se ka mbrojtur Damir Fazlliç nga drejtësia shqiptare në vitin 2008. Në atë kohë, serbo-boshnjaku akuzohej se nuk justifikonte burimin e të ardhurave për blerjen e një prone prej 90 mijë metrash katrorë në Porto Romano.

Dyshimet e Prokurorisë lidheshin se paratë kishin burim kriminal, ose nga afera korruptive, ose të krimit të organizuar. Fazlliç kishte blerë edhe disa prona të tjera përpara se të regjistronte në Shqipëri shoqërinë e tij "Croën Aquisition". Si provë, prokuroria kishte edhe një transfertë prej 1.7 milionë euro nga bankat shqiptare te Damir Fazlliç.

Për këtë dhe raste të tjera të dyshuara, Berisha meriton të hetohet deri në fund dhe të ndëshkohet nëse ka përgjegjësi. Por, problemi është se të kujtohesh të hetosh e ndëshkosh aferat e dyshuara korruptive një dekadë më vonë, nuk dekurajon pushtetarët aktualë nga keqqeverisja.

Dhe për keqqeverisje e falje të pronave shtetërore (ngjashëm me rastin e Damir Fazlliç) është akuzuar Edi Rama që në mandatin e parë të tij, kur shpërthyen në seri koncesionet në shëndetësi e për të cilat po heton sot SPAK-u.

Për të vijuar më pas me PPP-të, tendera e koncesionet e tjera dhe akuzat për fryrje të kostos së këtyre tenderave e koncesioneve, ku kulmi i akuzave ishte Unaza e Re në segmentin Pallati me Shigjeta ish-Rrethrrotullimi Shqiponja, një aks pak më shumë se 2 km i gjatë, por me kosto mbi 40 mln euro.

Për këto, Edi Rama mund të mos ketë përgjegjësi penale të drejtpërdrejt vetë. Si shembull, në rastin e koncesioneve në shëndetësi, para drejtësisë po del ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe për tenderat e fryrjen e kostos së tyre para drejtësisë po dalin zyrtarët që i kanë miratuar.

Por, përgjegjësia e drejtpërdrejt e Edi Ramës buron nga ligji kontravers për investitorët strategjik. Si kryetar i Këshillit të Investimeve Strategjike me firmën e tij janë falur me mijëra e mijëra prona shtetërore në bregdet për oligarkët që e rrethojnë në qeverisje, një pjesë e mirë e të cilëve para 2013-s rrethonin Berishën.

Qershia mbi tortë e skandaleve të qeverisjes së Edi Ramës është bordi i çmimeve të karburantit. Publikisht ai u ngrit për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve, por realisht me vendimet e çuditshme për të mbajtur çmimet më lart nëse tregu do të ishte i lirë, është vënë në shërbim të oligarkëve të naftës.

Prandaj, sot po themi ‘Berisha, Berisha, po Edi Rama po bën kërdinë”. Për të gjitha këto, ndoshta edhe Ramën pas 10 viteve e pret statusi non grata nga SHBA e BE. Por, ç’kuptim ka? Shqiptarëve u duhet që korrupsioni të luftohet në kohë reale, kur ndodh. Pas 10 vitesh kjo luftë as ka efekt, as dekurajon pushtetarët nga praktikat korruptive në qeverisje.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video