Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj është shprehur se është plotësuar kuorumi për zhvillimin e saj, por ka theksuar se Sali Berisha është i paftuar.
Ky i fundit është përgjigjur se vendimi i Lulzim Bashës për përjashtimin e tij ishte antistatutor.
Alibeaj: Prezenca juaj në këtë sallë është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti. Me prezencën tuaj ju po zhvlerësoni vendimet e organeve të kësaj partie. Ju jeni i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe çdo forum.
Berisha: Alibeaj më vjen keq për këtë qëndrim, vendimi i Lulzim Bashës është anti-statutor, jua kam thënë edhe pak ditë më parë dhe po jua përsëris, unë ju respektoj si kryetar grupi, por çdo organ vendimarrës në këtë parti ka qenë ilegjitime pas 11 dhjetorit. I vetmi organ që merr vendime është Komisioni i Rithemelimit.
Më pas Alibeaj i ka kujtuar Berishës sërish shpalljen non grata nga SHBA, duke thënë se realiteti është beteja me Blinken dhe kjo nuk iu shërben demokratëve. Berisha i është përgjijgur se është betejë për dinjitet njerëzor dhe se ka mbrojtur sovranitetin e vendit.
Alibeaj: Nëse flasim për realitet, ka edhe një realitet tjetër. Ke shpallur betejën me Blinken. Dhe kjo nuk u shërben demokratëve.
Berisha: Beteja është për dinjitet njerëzor. Jam njeriu i dytë në botë që hedh në gjyq sekretarin e DASH.
Kam mbrojtur sovranitetin e vendit. Kam qenë kryetar shteti, kryeministër, jam më i votuari në rajon.