Kur prezantonte raportin vjetor të SPAK për vitin 2022, në fillim të muajit qershor, kreu i Prokurorisë së Posaçme citonte ndër të tjera faktin që në mbi 90 për qind të kërkesave të tyre për masës sigurie arrest me burg, gjykata i kishte miratuar.
Në total, masat e sigurisë arrest me burg të kërkuara nga SPAK dhe të miratuara nga shkalla e parë dhe apeli i gjykatës së posaçme u rritën me 27 për qind në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021.
Shifra e lartë më shumë se sa cilësinë e hetimeve të prokurorëve të posaçëm sugjeronte se gjykata është shndërruar më shumë në një notere e SPAK dhe ky i fundit de fakto ka marrë edhe atributet e gjykatës.
Shqetësimin për numër të lartë të kërkesave arrest me burg e ngritën po në qershor edhe eksponentë të mazhorancës socialiste. Vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, që udhëhoqi hartimin e reformës kërkuan nga prokurorët e posaçëm që të jenë më të përmbajtur me kërkesat për masat e sigurisë dhe të aplikojnë edhe masa kufizuese alternative, që nga arrest me burg deri te garancinë pasurore.
Nga dosjet e reja që SPAK ka dorëzuar në gjykatë, këshilla e Xhafajt dhe e Manjës pak është ndjekur. Arrest me burg SPAK kërkoi për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës i akuzuar për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Akuza e dytë e rrezikon të dënohet deri në 15 vite burg.
Shkalla e parë e gjykatës së posaçme ndoqi për këtë rast të njëjtin standard si në akuzat e tjera të ngjashme, duke miratuar arrestin me burg. Fill pas kësaj nisi ofensiva politike e Sali Berishës ndaj prokurorisë dhe gjykatës së posaçme, duke sulmuar si dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, ashtu edhe gjyqtaren Irena Gjoka.
Pas betejës ligjore me shkresa e kundërshkresa, çështja përfundoi në Apel, ku gjykata si rrallëherë vendosi zbutje të masës së sigurisë, duke çuar në arrest shtëpie Jamarbër Malltezin dhe duke lënë në fuqi detyrim paraqitjeje për Sali Berishën, masë që deri më tani organet e reja të drejtësisë nuk po e zbatojnë dot.
Por, ku ndryshon dosja ndaj Jamarbër Malltezit nga dosjet e tjera kur masa e sigurisë në Apel është lënë po arrest me burg, ashtu si shkalla e parë? Lista e ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve që vijojnë të qëndrojnë në qeli me akuza edhe më të lehta se ato të Jamarbër Malltezit është e gjatë.
Nga Vangjush Dako, Safet Gjici e deri te Fredi Beleri. Që të tre këta akuzohen për vepra penale më të buta se akuza për pastrim parash dhe megjithatë kërkesat e vazhdueshme për zbutje të masës së sigurisë kanë hasur në refuzimin e gjykatave.
Çfarë ndryshon që në rastin e Jamarbër Malltezit u zbut masa e sigurisë, ndërsa në tre rastet e tjera jo? A ka më shumë rrezikshmëri për t’u arratisur Vangjush Dako, Safet Gjici e Fredi Beleri se Jamarbër Malltezi?
Për këto pyetje, vështirë të thuhet se po, ndaj më shumë se sa ndjekja e një standardi duke u nisur nga provat e akuzat gjykata në rastin e Jamarbër Malltezit është dorëzuar përballë presionit politike e publik të Sali Berishës.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.