KUVEND/ Noka- mazhorancës: Themelet e pushtetit tuaj qëndrojnë mbi farsën e 11 majit. Tregu i votës, si treg i gjësë së gjallë

5 June 2025, 10:48Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KUVEND/ Noka- mazhorancës: Themelet e pushtetit tuaj qëndrojnë
Flamur Noka

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, në fjalën e tij në Kuvend ka deklaruar se 11 maji ishte një farsë elektorale dhe se pushteti i mazhorancës nuk ka legjitimitet për sa kohë që nuk bazohet në votë dhe vullnetin e qytetarëve.

“11 maji ishte një farsë elektorale. Pushteti i mazhorancës nuk ka asnjë legjitimitet për sa kohë nuk buron nga vota dhe vullneti i qytetarëve,” deklaroi Noka, duke akuzuar qeverinë për kapjen e institucioneve dhe përpjekje për të mbuluar mungesën e demokracisë me një fasadë formale.

Sipas tij, procesi zgjedhor nuk përfaqësoi një garë të vërtetë midis alternativave, por një përballje e pabarabartë ku opozita u vendos përballë gjithë aparatit shtetëror, të mbështetur nga grupe kriminale.

“Demokracia është gjymtuar me vullnetin tuaj dhe të ‘sulltanit’ tuaj. Ajo që ka mbetur është vetëm fasada, ndërsa themelet e pushtetit tuaj qëndrojnë mbi një votë të tjetërsuar,” tha Noka.

Ai akuzoi qeverinë se ka institucionalizuar “tregun e votës”, duke e krahasuar procesin zgjedhor me tregjet e gjësë së gjallë në qytetet e vendit.

“E kthyet 11 majin në treg votash. Në çdo qytet, aty ku ka pasur dikur treg kafshësh, ju ndërtuat tregje të votës, ku liria dhe zgjedhja u shitën dhe u blenë në mënyrën më të turpshme,” përfundoi ai.


Video