Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka përshëndetur miratimin e raportit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Spiropali tha se eurodeptetët mbështeten mbylljen e negociatave deri në 2027.
“Mirënjohje eurodeputetëve për mbështetjen e qartë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Raporti nënvizon qartësisht angazhimin e Shqipërisë ndaj reformave kyçe. Ishte shumë e rëndësishme dhe inkurajuese që eurodeputetët mbështetën objektivin tonë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Ishte fakt domethënës që në atë seancë ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si nga shumica ashtu edhe nga opozita. E shoh si një dëshmi të një vërtete të gjithëpranuar, kur vjen puna për integrimin në BE, Kuvendi ka një qëndrim të përbashkët”, tha ajo.
Prioritet kombëtar që tejkalon ndasitë politike, e cilësoi integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Angazhimi ynë në negociata është një kalendar pune”, theksoi Spiropali.
Një koment e ka edhe për deklaratat e Sali Berishës që ‘nxiu’ Shqipërinë në samitin e PPE.
“Së pari, lidhur me një fenomen që edhe duke u përmbajtur, po e cilësoj një njollë të zezë në sjelljen dhe diskursin politik shqiptar. Dënoj me forcë përpjekjet e atyre që nuk lënë gjë pa bërë, gur pa lëvizur dhe fjalë pa thënë për vendin e tyre. E kam fjalën për misionarët që pasi kanë nxirë emrin dhe fytyrën e tyre, kanë shkatërruar gjithçka rreth vetes, janë rikthyer me vrull për të nxirë dhe prishur edhe emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. E me hidhësinë e humbësit të keq, janë sulur të përdhosin emrin e Shqipërisë dhe çdo shqiptari brenda dhe jashtë vendit, reputacionin e tokës tonë të përbashkët me teori komploti, me akuza qesharake, dhe të pavërteta të shpikur asi nevojë e përpjekjes së fundit për mbijetesë politike. Nuk besoj se ka kush nevojë për ilustrime se e shohim përditë pelegrinazhin absurd të udhëtimeve me një fletushkë nën sqetull të hartuar në Tiranë që u shitet shqiptarëve si rezolutë e kësaj apo asaj organizate që në fakt është vetëm trakti i fundit kundër Shqipërisë progresit dhe imazhit të saj. Mbi tentativa të tilla të dëshpëruara qëndron Shqipëria fisnike"