Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka folur sërish në lidhje me skandalin e publikuar dy ditë më parë në media ku flitet për implikimin e ish kryetares së LSI dhe deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi në lidhje ruse, ku i zbulohen llogari dhe fatura bankare të padeklaruara në bankat e Zvicrës, Portugalisë dhe Qipros.
Dokumentet e publikuara tregojnë pagesa të kryera nga biznesmenë rus të naftës me përfituese zonjën Kryemadhi, të cilat ajo nuk i ka deklaruar.
Në një intervistë në Now me gazetare Sidorela Gjoni, Balla deklaroi se nga dokumentet, Kryemadhi rezulton bashkëaksionere në kompanitë e oligarkëve rusë dhe sipas tij, këto janë para që vijnë nga Vladimir Putin për të dëmtuar demokracitë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Balla shtoi më tej se kur bëhet fjalë për para që vijnë nga Rusia, këtu bëhet fjalë për çështje të interesit kombëtar, përveç veprave të tjera penale.
“Ky është rast i dytë i një ngjarje që vazhdon prej vitit 2017 e këtej. Shqipëria ka treguar se nuk është e izoluar, nuk është imune ndaj përpjekjes së Kremlinit, të Rusisë dhe planit të Vladimir Putinit për të dëmtuar demokracitë në vendet e Europës. Nuk është Shqipëria e veçuar në këtë aspekt. Bëhet fjalë për një plan që sikurse është bërë me dije nga organet e inteligjencës amerikane, nga CIA, në shtator të vitit të kaluar që Rusia nga viti 2014 e këtej ka harxhuar rreth 300 milionë dollarë pagesa ndaj aktorëve politikë. Bëhet fjalë për pagesa nga dokumentet e bëra publike janë pagesë e të qenurit aksionere në një kompani.
Nuk bëhet fjalë për akuza të Partisë Socialiste, por për fakte të publikuara nga mediat në Shqipëri dhe mediat evropiane në vijim edhe të provave të dala shumë vite më parë dhe që të gjithë e dimë që Kremlini, Putin, kanë paguar para për të dëmtuar demokracitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera në Europë. Sikurse ishte rasti me 500 mijë dollarë të PD-së, që tani biem të gjithë dakord që kur ne i thonim këto fakte thonin çështë kjo, por doli e vërtetë edhe në dokumentet e CIA-s. Tani kemi një set provash të reja, çfarë ka dalë në publik, mediat kanë nxjerrë disa dokumente që Kryemadhi rezulton të jetë përfituese dividenti me transferta parash nga llogari bankare të kompanive në pronësi të disa shtetasve rusë, të cilët na rezultojnë të jenë jo vetëm shtetas të zakonshëm, por janë biznesmenë të lidhur ngushtësisht si përfitues të Kremlinit, pra të fondeve dhe tenderave publik atje dhe të naftës, të cilët duke qenë pronar të këtyrë kompanive rezulton të kenë transferuar divident.
Kur transferon divident do të thotë që je aksioner. Dividenti është ndarja e përfitimit mes aksionerëve. Kur bëhet fjalë për transferta parash që vijnë nga Rusia, këtu bëhet fjalë për çështje të interesit kombëtar, sikurse ka dhe vepra të tjera penale, sepse kur je aksioner në një shoqëri duhet t’i deklarosh .” -deklaroi Balla.