Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me gjyqin që po mbahet në Hagë për ish krerët e UÇK, të cilët akuzohen për krime lufte.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shpërndarë një deklaratë nga fjalimi i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, më konkretisht deklaratën: "Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr."
Krahas kësaj deklarate, kryeministri Rama shkruan se kjo është e vërtetë, por sërish është "çorbë e pagëlltitshme" kur çlirimtarë të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë lufte.
"SIGURISHT QË PO! Por prapëseprapë është aq e pagëlltitshme një çorbë kaq e shpifur, kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurrura me trafik organesh! MEGJITHATË UÇK NUK DO TË MUNDET NGA PADREJTËSIA" -shkruan Rama.