Rama mbyll takimin në Vlorë, i nervozuar! Bën shenja me duar, bërtet... me kë e ka kryeministri? (VIDEO)

16 Mars 2026, 13:07Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EdI Rama në Vlorë

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të hënë në qytetin bregdetar të Vlorës, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe deputetë të jugut, shoqëruar nga ministrja Erjona Ismaili.

Mirëpo, siç shihet nga këto pamje që sjell portali vlonjat "Disidentët", kryeministri është shfaqur mjaft i nervozuar në përfundim të takimit me socialistët e jugut.

Ai ngre duart dhe më pas i drejton gishtin dikujt, por nuk kuptohet nëse Edi Rama është duke bërtitur, po shanë dikë apo bëhet fjalë për diçka tjetër, që ai po ua thotë të vetëve para se të futet në makinë e të largohet.

Sa i përket takimit, ai zgjati rreth një orë dhe gjatë diskutimeve Kryeministri u ndal te projektet që po zhvillohen aktualisht në qytetin e Vlorës, si dhe te përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik.

Në fokus të bisedës ishte ecuria e investimeve publike dhe rëndësia e koordinimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore për përfundimin në kohë të projekteve.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Vlorës i është kushtuar një vëmendje e veçantë vitet e fundit përmes investimeve në infrastrukturë, turizëm dhe zhvillim urban. Ai nënvizoi se këto projekte kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e potencialit turistik të qytetit dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe vizitorët.

Kryeministri kërkoi nga kryetarja e bashkisë që për çdo investim apo projekt të ri në qytet të kërkojë bashkëpunimin dhe mbështetjen e ministrive përkatëse.

Sipas tij, ky koordinim është i domosdoshëm për të përshpejtuar realizimin e projekteve dhe për të garantuar që ato të përfundojnë brenda afateve të parashikuara.

Në prag të sezonit turistik, Rama theksoi gjatë takimit me dyer të mbyllura nevojën për masa konkrete që lidhen me menaxhimin e hapësirave publike, përmirësimin e shërbimeve dhe garantimin e standardeve të pritjes për turistët.

Ai shtoi se përgatitja në kohë e infrastrukturës dhe e shërbimeve është thelbësore për të përballuar fluksin e vizitorëve që pritet gjatë muajve të verës në Vlorë dhe në zonat përreth.


Video