Do të zëvendësojë Luçiano Boçin në Kuvend, deputeti i ardhshëm i PD i dehur në timon, bën aksident

13 March 2023, 19:12Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Do të zëvendësojë Luçiano Boçin në
Qani Xhafa

Ish-kandidati i PD-së për deputet në zgjedhjet e vitit 2021, Qani Xhafa është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës pasi është përfshirë në një aksident rrugor. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Xhafa ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.

Aksidenti ka ndodhur në bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan. Mësohet se Qani Xhafa, i cili udhëtonte në gjendje të dehur, është përplasur me trafik ndarësen në rrugë. Pas aksidentit, Xhafa është arrestuar nga efektivët e policisë. Qani Xhafa kandidoi për PD-në në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 në qytetin e Elbasanit. Ai ishte renditur në vendin e 8 në listën e kandidatëve për deputetë, pas Luçiano Boçit i cili arriti të sigurojë mandatin.

Kandidatimi i Luçiano Boçit për Elbasanin do të lërë një vend të lirë për deputet në radhët e demokratëve, i cili duhet plotësuar. Kështu, pas lënies së mandatit nga Boçi, sipas të dhënave të KQZ-së, në vend të tij do të jetë Qani Xhafa, ish-kreu i Komunës Labinot Mal.



Video