
Shqipëria ka arritur të nënshkruajë marrëveshje të rëndësishme për sigurimet shoqërore të qindra-mijëra emigrantëve që jetojnë në shtetet e Bashkimit Europian, së fundmi me Zvicrën dhe Kroacinë si dhe ka arritur të përparojë në negociatat me Italinë.
Këtë e vlerësoi deputeti socialist Erion Braçe, i cili gjithashtu theksoi gjatë fjalës së tij në Parlament, se problem mbetet Greqia.
Braçe tha se Greqia është i vetmi shtet që nuk po bën asgjë që emigrantët shqiptarë, të cilët kanë vite që paguajnë rregullisht kontributet, të përfitojnë. Ai kërkoi që Shqipëria të rrisë presionin ndaj Greqisë.
“Shqiptarët që janë atje presin e presin të përfitojnë sigurimet shoqërore, e vetmja që nuk bën asnjë gjë është Greqia. Qindra-mijëra shqiptarë që jetojnë e punojnë aty kanë vite që paguajnë, kanë kontribuar dhe duhet të marrin mbrapsht kontributet për sigurimet shoqërore të tyre. Kjo tashmë nuk mund të jetë vetëm çështje e Shqipërisë, duhet të ngrihen komisione të rritet presioni ndaj Greqisë”, deklaroi Braçe në Parlament.