Berisha merr shembull Berluskonin: Nuk iu shmang kurrë drejtësisë, kurse Rama po merr zvarrë shtetin dhe çdo gjë

4 Shkurt 2026, 19:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me qytetarët e njësive 1 dhe 3 në Tiranë, ku ka artikuluar akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se vendi ndodhet nën një regjim që, sipas tij, është më i rëndë se çdo diktaturë e mëparshme dhe se degradimi i shtetit ka arritur nivele të paprecedenta.

Berisha deklaroi se qeveria ka ndërtuar struktura kriminale brenda shtetit, duke shkuar deri aty sa të flasë për ekzistencën e një “zyre krimi” të drejtuar nga vetë kryeministri. “A mund ta imagjinoni ju që të ketë një zyrë krimi, ku organizohen krime nga më të ndryshmet?”, u shpreh ai.

Në vijim të fjalimit, kreu i PD-së përmendi edhe raste konkrete, duke akuzuar drejtpërdrejt Ramën për ngjarje të rënda. “Edhe ai krimineli Gilmando Dani u vra nga komandot e policisë. E vrau krimi, e vrau Rama”, tha Berisha.

Një tjetër akuzë e rëndë lidhej me korrupsionin. Berisha deklaroi se Rama ka përfituar për familjen e tij shuma të mëdha parash. “Ai ka përvetësuar për familjen e tij 500 deri në 600 milionë euro, e ndoshta edhe më shumë. Rama e ka mendjen vetëm të vjedhë e të vjedhë”, theksoi lideri demokrat.

“Degradimi, degjenerimi në kuptimin absolut të fjalës i karakterit dhe moralit zyrtar dhe ligjor të njerëzve të këtij pushteti, tejkalon çdo lloj parashikimi, libri që mund të keni lexuar apo filmi që mund të keni parë. Ne që kemi jetuar në dy diktatura, ne bëjmë krahasime dhe u them unë që në memorien tonë, kurrë nuk ka ekzistuar në Europë një diktaturë e zezë si ajo e Enver Hoxhës. Por, u garantoj se disa aspekte, dhe jo të pakta, ky regjim sot është më shkatërrimtar për qenien shqiptare se sa ç’ishte regjimi më i parë. Degradimi i këtyre pushtetarëve ka kufi vetëm qiellin. Do t’u jap një shembull. Ish-kryeministri i ndjerë i Italisë, një mik i madh i Shqipërisë, Silvio Berluskoni, e majta komuniste italiane iu përvesh, por edhe kur ishte kryeministër në detyrë, kur kryesonte G7-tën, ai nuk iu shmang urdhrave të drejtësisë. Edhe kur ato shënonin padrejtësinë më të madhe, ai nuk u shmang. Ai nuk tha kurrë se nuk do të paraqitem”, tha Berisha.

Sipas Berishës, situata e medias dhe e lirisë së shprehjes në vend është përkeqësuar ndjeshëm. Ai u shpreh se censura sot është edhe më e ashpër se në vitet e diktaturës komuniste.

“Bëhet gjithçka për të paraqitur si çështje atë që nuk është çështje dhe për të fshehur të vërtetën”, deklaroi ai, duke akuzuar mediat pranë qeverisë se manipulojnë opinionin publik. Berisha foli edhe për arenën ndërkombëtare, duke u ndalur te mungesa e kryeministrit Rama në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

“Vendi i Ramës ishte në Davos, por Davosi nuk e pranoi. Mediat e tij nuk e paraqitën kështu, por gjetën justifikime”, tha ai.

Duke bërë një krahasim me angazhimin e tij politik në fillim të viteve ’90, Berisha theksoi se ai kishte vepruar si idealist pa u trembur për pasojat personale apo familjare. “Unë në vitin 1991 nuk pyeta se çfarë mund të pësoja vetë ose familjarët e mi, qëndrova idealist. Kështu duhet të jenë gjithë shqiptarët sot”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se mbijetesën e saj politike e ndërton mbi sulmet ndaj opozitës dhe se zgjedhjet janë shndërruar në farsë. “Një regjim që bën farsë zgjedhore dhe grusht shteti meriton çdo përgjigje”, tha Berisha, duke shtuar se qeveria, sipas tij, mbahet në këmbë nga “llum njerëzor” dhe deputetët socialistë “kanë marrë mandate krimi”.

Berisha u shpreh se PD i ka fituar zgjedhjet e 2025, por se ata janë vjedhur. “Partia Demokratike i fitoi zgjedhjet në 2025. Ato u vodhën nga Partia Socialiste, pasi Rama dhuroi 2 miliardë euro, pasi fali gjoba e kamata”, deklaroi Berisha.

Në fund të fjalës së tij, lideri i PD-së u shpreh se Shqipëria ka nevojë për idealistë.

“Vendi ka nevojë për idealistë. Çdo njeri idealist ftojeni në Partinë Demokratike. Më datë 10 janë të ftuar qytetarët e vendit në Tiranë, për t’i dhënë leksionin e fundit Ramës dhe regjimit të tij. Jemi në kilometrin e fundit”, tha ai.

 


Video