
Kryeministri Rama është marrë sot jo vetëm me gjyqtarët, por dhe prokurorët.
Kjo, duke qenë se dhe këta të fundit reaguan për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe “sulmet” që po iu bën Rama gjyqtarëve, me anë të shoqatës së tyre.
Sipas Edi Ramës, kjo shoqatë as që ishte regjistruar ligjërisht, e jo më të bënte deklarata në mbrojtje të gjyqtarëve për çështjen e pagave që është në Kushtetuese.
Mirëpo, një vendim i Gjykatës së Tiranës, tregon se "Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë", është vendosur që të regjistrohet si person juridik në regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse. Prej datës 26 Nëntor 2025, kjo shoqatë është aktive në Republikën e Shqipërisë, e regjistruar sipas të gjitha dispozitave dhe ligjeve në fuqi.
Nisur nga këto reagime, Edi Rama është detyruar të reagojë sërish brenda një ore, duke thumbuar gazetarët që publikuan vendimin e regjistrimit të Shoqatës së Prokurorëve në gjykatë, ama sipas tij jo në Drejtorinë e Tatimeve.
"Unë shkruajta, “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit” - pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës.
Ndërkohë dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur.
Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave - të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha", shkruan Edi Rama.
