
Sali Berisha tha se i ka këshilluar Enkelejd Alibeajt që të tërhiqej nga ideja për të ankimuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë të Tiranës për të regjistruar statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit.
“Ndjej keqardhje për atë, por unë besoj...unë e këshilloj, unë ja sugjerova, por ai nuk ra dakord dhe ka vërejtje për vendimin dhe e quan se nuk është vendim përfundimtar. Por, ky është vendim përfundimtar sepse ky është regjistrim”, tha ai.
Sipas Berishës, me rëndësi në këtë moment është leximi i realitetit që e quajti të pandryshueshëm.
“Basha mori përsipër të gjitha pasojat e kursit që zgjodhi. Dorëheqja e tij ka si background serialin e humbjeve të njëpasnjëshme. S’kam më pse t’i them deputeti brava, do t’i them deputeti Basha. Ai është deputet i PD-së dhe po të ishte në zyrë me Enkelejdin dhe Gazin unë do t’i jepja dorën”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se PD ka nevojë urgjente për ngritjen e strukturave të saj dhe daljen në betejë përballë Edi Ramës, duke paralajmëruar protesta.
“PD është forcë e betejave. Unë e vlerësoj shoqërinë civile për protestën, por protesta jonë do të jetë shumë më e fuqishme”, tha ai.