Aleanca e re, Agron Duka i zë vendin Jurgis Çyrbjas

11 Tetor 2024, 20:46Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jurgis Çyrbja / Agron Duka

Jurgis Çyrbja u rendit i katërti në listën e deputetëve të Partisë Socialiste sa i takon votës preferenciale. Në fushatë ai u angazhua në zona të vështira elektorale dhe që deri disa vite më parë njiheshin si bastione të opozitës.

Çyrbja mbuloi Bashkinë e Shijakut, Manzën dhe rrethinat e tjera në dy fushata elektorale, duke u zgjedhur deputet dy herë rresht. Në 2021, të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se ai siguroi personalisht gati 6600 vota, edhe pse ishte më i riu në fushatë dhe pa përvojën politike të të tjerëve, duke u rënditur i katërti në listën e fituesve për numrin e votave personale, pas Edi Ramës, Lefter Kokës dhe Rrahman Rrajës.

Por, karriera në ngjitje në shkallët e politikës e Jurgis Çyrbes u ndërpre pas komunikimit nga SPAK të marrjes së tij zyrtarisht të pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Burime të Voxnews.al pohojnë se bëhet fjalë për akuzën e mbivendosjes së një prone me sipërfaqe dhe vlerë të papërfillshme në Durrës, që sugjeron se më shumë se sa shpërdorim detyre në kohën kur ka qenë drejtues i hipotekës, veprimi i Jurgis Çyrbes në atë kohë ka qenë një lapsus nga pakujdesia.

Megjithatë, deputeti i qarkut të Durrësit vendosi të lërë mandatin dhe të përballet me drejtësinë i zhveshur nga imuniteti që i jep vota e qytetarëve të Shijakut dhe gjithë Durrësit, duke mos pritur që SPAK të kërkonte heqjen e imunitetit të tij.

Vetë Jurgis Çyrbja mund të dijë më shumë, por marrja e tij si i pandehur nga SPAK dhe lënia e mandatit përkon në një kohë kur zërat për një rikthim në koalicionin e majtë të kreut të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka janë shtuar, sidomos në Durrës e Shijak.

As Duka dhe as nga Partia Socialiste nuk kanë komentuar publikisht këto zëra, por bisedimet nën rrogoz mes palëve duket se kanë prodhuar ‘viktimën’ e parë të lëvizjeve politike të mëdha të Edi Ramës në kërkim të mandatit të katërt qeverisës.

Jurgis Çyrbja ishte deputet i qarkut Durrës, zonat te cilat përfaqësonte ishin
Njesia administrative Ishëm, Manëz, Sukth, i dalë fitues nga zgjedhjet e 2021.

Çyrbja doli deputeti më i votuar dhe në njësinë administrative Maminas dhe Sallmone që i përkasin Bashkise Shijak.

Renditja si më poshtë sipas rezultateve zyrtare nga KQZ:

Bashkia Durrës

Çyrbja 3766 vota

Duka 3641 vota

Bashkia Shijak

Çyrbja 2658 vota

Duka 728 vota

Bashkia Krujë

Çyrbja 169 vota

Duka 362 vota

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video