Akuzat e Berishës, reagon bashkëshortja e Bledi Çuçit: Prej 2010 kam marrë zero fonde nga USAID! Shihemi në gjyq

19 Shkurt 2025, 15:30Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Delina Fico / Sali Berisha

Pas akuzave të kreut të PD-së, Sali Berisha ndaj bashkëshortes së Bledi Çuçit, Delina Fico, ka reaguar kjo e fundit.

Berisha e akuzoi Ficon se ka marrë 10 milionë dollarë fonde nga USAID, teksa i bëri thirrje FBI-së amerikane ta hetojë atë për shpërdorim të parave të taksapaguesve amerikanë.

Por Fico thotë se ajo nuk ka përfituar asnjë fond prej vitit 2010, dhe se deklarimet e të ardhurave i bën rregullisht në ILDKPKI. Ajo shton se një fond prej 10 milionë dollarësh nga USAID e ka marrë organizata me bazë në Nju Jork “EËMI” ku ajo mban postin e Drejtores për Programet e Shoqërisë Civile.

Reagimin e Ficos e ka shpërndarë edhe bashkëshorti i saj Bledi Çuçi, i cili shkruan: “Për transparencën e akuzave që dalin nga puseta e Saliut.”

Reagimi i plotë:

Ky sqarim është për dashamirësit dhe për ata që duan të mësojnë fakte e ta formojnë mendimin mbi bazën e tyre. Kurse ata që ngrihen në mëngjes me etjen për të urryer këdo që ju del përpara, dhe që punonjë gjithollogë, as mos lodhen ta lexojnë fare këtë sqarim e aq më pak të komentojnë, sepse ata shkojnë për Delete dhe Block.

E para, që nga viti 2010, UNË NUK KAM MARRË ASNJË PAGESË, PRA, 0 (ZERO) DOLLARË/EURO/LEKË, NGA FONDE TË USAID OSE TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT TË SHBA-VE PËR SHQIPËRINË. Po ashtu, që prej vitit 1997, të ardhurat e mia burojnë nga punësimi me organizata jofitimprurëse dhe kompani amerikane, si dhe agjensi të OKB-së. Kurse puna ime e paguar që prej vitit 2010 nuk ka asnjë lidhje financiare ose programatike me Shqipërinë.

E dyta, që prej vitit 2014, unë bëj deklarim vjetor të të ardhurave dhe aseteve në ILDKPKI, për shkak të faktit që bashkëjetoj me Bledi Çuçin, i cili ka pasur e ka detyra, të cilat e bëjnë të detyrueshëm deklarimin e aseteve në këtë Inspektoriat. Gjatë kësaj periudhe, kemi kaluar me sukses dy herë kontroll të detajuar të deklarimit të të ardhurave dhe aseteve nga ILDKPKI. Kushdo mund të marrë lirisht informacion nga ILDKPKI për të ardhurat e asetet e mia.

E treta, që prej vitit 2010, unë jam e punësuar nga Instituti i Menaxhimit Lindje-Perendim (EËMI), një organizatë jofitimprurëse amerikane me qendër në Nju Jork, si Drejtore për Programet e Shoqërisë Civile. Në 30 vitet e fundit, EËMI ka zbatuar disa programe të financuara nga qeveria amerikane për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri. Për shembull, gjatë periudhës 2016 - 2021, EËMI zbatoi në Shqipëri programin “Drejtësi për të Gjithë”, të financuar nga USAID, me vlerën totale 10 milionë dollarë. Ky program nuk pati asnjë angazhim ose aktivitet që lidhej me reformën në drejtësi. Gjatë periudhës prill 2021 - janar 2025, EËMI zbatoi një program të financuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA, me buxhet total rreth 2 milionë dollarë, program që ndihmoi Gjykatën e Lartë të adresojë problemin e dosjeve të prapambetura.

Siç mund të vërtetohet lehtësisht nga dokumentat e ketyre programeve dhe nga të gjithë punonjësit dhe bashkëpunëtorët amerikanë dhe shqiptarë të të dy programeve, UNË NUK KAM MARRË ASNJË PAGESË, PRA, 0 (ZERO) DOLLARË/EURO/LEK, NGA FONDET E KËTYRE DY PROGRAMEVE, dhe unë nuk kam luajtur dhe nuk luaj asnjë rol drejtues, menaxhues, ose këshillues për këto dy programe. Në momente të caktuara, kam luajtur vetëm rolin e përfaqësueses ligjore të EËMI në Shqipëri. 

Ata që më njohin për hir të aktivizmit tim në përkrahje të barazisë gjinore e integrimit social, kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë kontributi im vullnetar.

Këto janë faktet. Me shpifësit do të shihemi në gjyq.

Video