
Policia e Shtetit ka përsëritur thirrjet drejtuar pjesëmarrësve në protestë për t’u distancuar nga aktet e dhunës dhe për të mos iu bashkuar personave të maskuar.
Përmes një njoftimi zyrtar, policia u bën thirrje protestuesve të ndalojnë sulmet ndaj punonjësve të rendit dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Sipas policisë, si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.
Autoritetet theksojnë se e drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por nuk justifikon ushtrimin e dhunës apo dëmtimin e pronës. Ndërkohë, policia bën me dije se po vijon identifikimin dhe shoqërimin e personave të përfshirë në akte dhune, ndërsa deri në momentin e njoftimit janë shoqëruar 35 shtetas.
Njoftimi i policisë
Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private.
Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.
Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.
E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas.