
Ministri Blendi Gonxhja ka reaguar lidhur me protestën, duke dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve publike.
Përmes një deklarate, ai theksoi se e drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk mund të përdoret si justifikim për zjarrvënie, shkatërrime apo akte dhune.
Gonxhja u shpreh se asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë, duke e cilësuar “destabilizimin” si një veprim që dëmton interesin publik. Ai u bëri thirrje organizatave studentore, këshillave studentore dhe senateve akademike të distancohen nga aktet e dhunshme dhe të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të protestës.
Ministri vuri gjithashtu theksin te mbrojtja e monumenteve, muzeve dhe objekteve të kulturës, duke nënvizuar se ato përfaqësojnë historinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve.
Reagimi i ministrit Blendi Gonxhja për protestën:
Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik! Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!
Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane.
Në vëmendje të veçantë mbrojtja e objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve: Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare.