
Tirana prej dy ditësh është duke u djegur.
Ditën e sotme, protestuesit kanë sulmuar jo vetëm institucionet kryesore në vend, por edhe bizenese të ndryshme.
Dhe me të drejtë, ministra dhe deputetë socialistë kanë reaguar për ndaljen e dhunës (PD dhe opozita sigurisht që nuk e dëshiron këtë gjë, por përshkallëzimin e situatës, me qëllim rrëzimin e Qeverisë).
Ajo që të bën çudi, është heshtja e kryeministrit Edi Rama.
Ai nuk ka bërë asnjë reagim as dje dhe as sot, as për mbrojtjen e institucioneve dhe bizneseve, por as ka sulmuar protestuesit, siç bën zakonisht.
Vetëm hesht, duke ia lënë gjithë “betejën” kundër protestuesve, Taulant Ballës.
Në një situatë të tillë, çdo kryeministër e ka për detyrë dhe duhet të reagojë.
Publikisht, jo nëpër tavolina!
Sepse po sulmohen institucionet dhe punonjësit e shtetit, në këtë rast policët, të cilët duket se janë lënë në mëshirë të fatit përballë protestuesve.
Kryeministri duhet të flasë dhe t’iu përgjigjet protestuesve me argumente, jo me gjuhën e tij të zakonshme linçuese dhe fyese.
Edhe nëse ata janë të PD-së apo opozitarë. Qytetarë të këtij vendi janë edhe ata.
Është e kuptueshme që Rama e ka të vështirë në këto momente të flasë dhe të mbajë një qendrim burrshtetasi të vërtetë, ashtu siç e ka pasur gjatë gjithë këtyre muajve kur ka nisur protesta, sepse kërkesa e tyre, është “koka” e tij.
Dhe Rama nuk negocion për këtë pikë!
Por në këto momente, kur situata ka dalë jashtë kontrollit dhe Tirana po digjet, ai duhet të flasë.
Me fjalë, por edhe me vepra.
Sepse po sulmohen biznese dhe është bërë e vështirë jeta për të gjithë qytetarët, të cilët sot nuk dalin dot nëpër rruget e Tiranës!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016