Mauricio Pochettino është emëruar trajner i ri i Manchester United. Tekniku argjentinas nuk i mbajti dot lotët teksa foli për largimin e tij nga drejtimi i Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e cilësoi këtë si një vendim të vështirë, por theksoi se ftesa për të drejtuar “Djajtë e Kuq” vjen shumë rrallë në karrierë dhe është e pamundur të refuzohet.
“E kam të vështirë të flas në këto momente. Jam njeri shumë emocional. Është një vendim shumë i vështirë. Nuk kam thënë kurrë se dua të rikthehem në futbollin e klubeve, por raste si Manchester United vijnë rrallë në karrierë. Kur vijnë, është e vështirë t’i refuzosh”, deklaroi Pochettino.
Për të prishur kontratën e tij, klubi anglez ka paguar një klauzolë lirimi prej rreth 7.4 milionë paundësh, si dhe një dëmshpërblim shtesë për stafin e tij. Pochettino do të drejtojë amerikanët edhe në dy ndeshjet e radhës ndaj Haitit, përpara se të transferohet në Manccester.
Argjentinasi merr detyrën pas shkarkimit të Michael Carrick, i cili la skuadrën në vendin e 18-të pas nisjes më të dobët të sezonit në dyzet vitet e fundit. Me vetëm një fitore në dhjetë javët e para të Premier Ligës, United ndodhet në një krizë të thellë rezultatesh.
Debutimi i trajnerit të ri në pankinën e anglezëve do të jetë mjaft i vështirë, pasi më 22 nëntor do të përballet me Liverpoolin në transfertën e “Anfield”.