
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se shkëmbimi i planifikuar i të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës do të jetë më i madhi i këtij lloji deri më tani, duke e cilësuar këtë zhvillim si “rezultat të vërtetë” të negociatave në vazhdim.
Duke folur për gazetarët pas takimit në Dublin me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trumpit, njëherësh të dërguarin e posaçëm, Jared Kushner, Zelensky tha se pala ruse ka rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve.
“Ky do të jetë shkëmbimi më i madh i të burgosurve të luftës… Ky është një rezultat i vërtetë. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Duke iu referuar përparimit të shënuar gjatë bisedimeve në Abu Dhabi, Zelensky tha se takimi i fundit ka ngjallur “shpresë” se lufta mund të marrë fund.
Ai tha se priten takime të tjera dhe theksoi se çdo raund negociatash duhet të sjellë rezultate konkrete dhe t’i afrojë palët drejt përfundimit të konfliktit.
Zelensky tha gjithashtu se përfaqësuesit evropianë do të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave si anëtarë të ekipit negociator, dhe jo si pjesëmarrës të veçantë.
“Ata do të kenë zërin e tyre. Kjo është e rëndësishme për ne, sepse lufta po zhvillohet në Evropë dhe në të ardhmen do të jemi anëtarë të BE-së. Prandaj, është shumë e rëndësishme. Për prosperitetin dhe garancitë e sigurisë, është shumë e rëndësishme që Evropa të jetë e përfshirë”, tha ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin, u takua të enjten në Moskë me Witkoff dhe Kushnerin, një ditë pas përfundimit të raundit të fundit të bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Washingtoni në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.
Zelensky hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e lëshimeve territoriale në rajonin e Donbasit, duke theksuar se Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e saj sovrane për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, sipas “Kyiv Post”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin irlandez, Micheál Martin, në Dublin, Zelensky deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e ngrenë vazhdimisht çështjen e Donbasit në negociatat për një marrëveshje paqeje.
“Pala amerikane e ngre shumë shpesh çështjen e Donbasit, një pjesë e territorit tonë ukrainas. Ata mendojnë se për t’i dhënë fund kësaj lufte, ne duhet të largohemi nga territoret tona. Nuk mund të flitet në këtë mënyrë me ne, një vend i pavarur dhe sovran”, deklaroi Zelensky.
Ai bëri të ditur se Uashingtoni po shqyrton propozime alternative për kapërcimin e ngërçit në negociata, por nuk pranoi të zbulonte hollësi rreth tyre.
Sipas tij, përparimi drejt një marrëveshjeje do të varet kryesisht nga gatishmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ushtruar presion mbi Moskën dhe jo mbi Kievin.
“Gjithçka varet nga gatishmëria e palës amerikane për të ushtruar presion mbi rusët apo jo”, theksoi ai.
Zelensky shprehu gjithashtu skepticizëm për gatishmërinë e Rusisë për të bërë kompromis, megjithëse tha se ekziston ende shpresë për përparim në bisedime.
Ai vlerësoi se administrata amerikane duket e vendosur të arrijë rezultate deri në fund të vitit 2026.
Ndërkohë, deklarata e Zelensky vjen në një moment të rëndësishëm diplomatik, pasi të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, mbërritën sot në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Takimi në Moskë pasoi dy ditë negociatash mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Abu Dabi, të cilat përfunduan pa përparim të rëndësishëm për çështjen territoriale.
Megjithatë, bisedimet prodhuan një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve të luftës.
Përfaqësuesit e të dyja palëve, pranuan se mbeten dallime të konsiderueshme për kushtet e përfundimit të konfliktit.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit mbetet kontrolli mbi Donbasin, rajon në lindje të Ukrainës, ku Rusia kërkon që Kievi të tërhiqet nga territoret që ende kontrollon.
Nga ana e tij, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, theksoi se Moska nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me pretendimet territoriale në Donbas.