Përplasje për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut

10 Nëntor 2026, 18:21Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Përplasje për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një mendim urgjent në lidhje me modelin e ri të provimit të jurisprudencës, i cili parashikon që pjesa teorike të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase. 

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari bëri me dije se në kuadër të këtij procesi, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet shtetërore, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike, si dhe përfaqësuesit e organizatave studentore. 

Synimi është që kjo çështje të shqyrtohet në sesionin e fundit të Komisionit të Venecias për këtë vit, i cili parashikohet të mbahet më 11 dhe 12 dhjetor. 

Modeli i ri i provimit të jurisprudencës ka nxitur reagime të shumta dhe kundërshtime nga studentët shqiptarë, të cilët u ngritën në protesta duke kërkuar që provimi të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe.

Kundër kësaj zgjidhjeje ligjore është deklaruar edhe opozita shqiptare në RMV, e cila ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë në Kuvend. 


Video