Deklarata e pazakontë e Trump për UFO-t: Pilotët panë një objekt sferik që parakaloi me një shpejtësi të madhe avionin luftarak

10 Nëntor 2026, 17:50Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Deklarata e pazakontë e Trump për UFO-t: Pilotët panë

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për herë të parë drejtpërdrejt për dëshmitë e pilotëve ushtarakë që pretendojnë se kanë parë objekte fluturuese të paidentifikuara (UFO), duke zbuluar detaje të pazakonta nga rrëfimet që ka dëgjuar në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë një interviste për emisionin “60 Minutes” të CBS, Trump tregoi se disa pilotë të Forcave Ajrore amerikane i kanë raportuar për takime me objekte misterioze, të cilat, sipas tyre, kryenin lëvizje që nuk mund të shpjegoheshin lehtësisht. Megjithatë, presidenti theksoi se mbetet skeptik ndaj teorive për jashtëtokësorët, ndonëse i konsideron pilotët dëshmitarë të besueshëm dhe pretendimet e tyre mjaft serioze për t’u shqyrtuar.

Një nga episodet më të çuditshme që Trump rrëfeu lidhet me një objekt në formë sfere, i cili dyshohet se ka kaluar pranë një avioni luftarak amerikan, me një shpejtësi tri herë më të madhe se ajo e tij.

Sipas presidentit, pilotët ndodheshin në avionë F-22, të konsideruar ndër mjetet luftarake më të avancuara dhe më të shpejta të ushtrisë amerikane, kur kanë vërejtur objektin misterioz.

“Ata pilotonin F-22, avionët më të mirë dhe më të shpejtë, por diçka i parakaloi me një shpejtësi tri herë më të madhe. Ishte një objekt i rrumbullakët, jo aerodinamik. Ndoshta ishte një kometë”, u shpreh Trump, duke lënë të hapur mundësinë e një shpjegimi natyror, për atë që pilotët pretendojnë se kanë parë.

Gjatë intervistës, presidenti u pyet gjithashtu nëse ekziston ndonjë program sekret amerikan për studimin e UFO-ve, për të cilin mund të mos jenë në dijeni as drejtuesit më të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Trump mohoi të kishte dëgjuar për një program të tillë, por deklaroi se, nëse ai ekziston, do të përpiqet ta zbulojë menjëherë pas intervistës.

Ndërkohë, administrata e tij ka ndërmarrë hapa drejt publikimit të dokumenteve të klasifikuara që lidhen me fenomenet ajrore të paidentifikuara. Pentagoni ka bërë publike disa grupe dokumentesh të deklasifikuara, përfshirë edhe një seri të re materialesh të publikuara në tetor, duke nxitur interesin e publikut dhe debatet mbi atë që ushtria amerikane mund të dijë për këto fenomene.

Megjithatë, deklaratat e Trump kanë ngjallur edhe kritika. Disa kundërshtarë të tij kanë pretenduar se vëmendja e shtuar ndaj UFO-ve mund të shërbejë për të larguar vëmendjen nga çështjet dhe polemikat e brendshme politike.

Një tjetër pikë që ka ngritur pikëpyetje është përmendja e mundësisë që objekti i parë nga pilotët të ishte një kometë. Sipas shpjegimeve shkencore, kjo hipotezë nuk qëndron, pasi kometat janë trupa qiellorë që lëvizin në hapësirë, në distanca shumë të mëdha nga Toka, ndërsa avionët luftarakë operojnë brenda atmosferës.

Për më tepër, F-22 përdor motorë që kanë nevojë për oksigjenin atmosferik për të funksionuar dhe mund të fluturojë deri në lartësi rreth 20 kilometra, ndërsa kometat ndodhen në distanca astronomike. Për këtë arsye, një kometë nuk mund të jetë objekt që fluturon pranë një avioni luftarak dhe të mund ta parakalojë atë, siç përshkruhet në dëshminë e pilotëve.


Video