Mëngjesin e sotëm mediat kanë shpërndarë fotot nga pritja e kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij Linda, në pritjen që iu rezervua në Pallatin Mbretëror nga mbretëresha Letizia e Spanjës dhe mbreti Felipe VI, në kuadër të Samitit të NATO-s që mbahet në Madrid.
Duke lënë mënjanë kontekstin politik të vizitës, ajo që bie në sy, janë krahët e mbretëreshës 49- vjeçare.
Kureshtarë, bëmë një kërkim të thjeshtë në Google dhe ja... shohim që muskujt e mbretëreshës janë “të famshëm”.
Për dietën dhe ushtrimet e saj është folur shumë në mediat spanjolle.
Por përtej shijeve personale që shumëkush ka (dëgjohet shpesh të thuhet se femrat nuk duhen të kenë kaq muskuj) krahët e Letizias duken si të skalitur në mermer. Mjafton të shohësh fotot e saj dhe merr një leksion të mirë të anatomisë së krahut.
Biceps, triceps dhe deltoid “të markuar” perfekt në çdo shtrëngim dore (edhe atë me kryeministrin tonë)
Shkuam dhe më tej, pyetëm menjëherë një trajner profesionist fitnessi: A janë të gjitha këto sa folëm, përralla me mbretëresha e princesha dhe të paarritshme për ne qytetarët e thjeshtë?
Ai që ka parë shumë, në kaq shumë vite eksperiencë, Vullnet Manushi na tregon se “jo, mjaftojnë të kesh dëshirë dhe vullnet dhe kushdo mund të ketë krahët e Letizias, nëse do t’i dojë”.
Ok, po Letizia është 49-vjeç?
Sigurisht që mosha është një nga faktorët kryesorë që hyn në lojë në momentin që stërvitemi, por nuk është e pamundur.
Vullneti e devijon bisedën në atë që për të është më e rëndësishme se pamja fizike.
“Edhe pse duket si një luftë kundër kohës, muskulatura në këtë moshë është shumë e rëndësishme, pasi siguron një mburojë para lëndimeve dhe sepse përmirëson funksionimin e metabolizmit. Sa më shumë muskuj aq më shumë kalori djegim dhe kur rrimë në qetësi. Por gjithashtu muskujt i japin tonifikimin e duhur lëkurës duke e bërë që të duket më e re. Prandaj është mirë që pas kësaj moshe mos të neglizhohet edhe krijimi i masës muskulore. Ushtrimet e forcës janë shumë të rëndësishme nëse duhet ta arrijmë këtë”.
Pra e kuptuat? Sa më shumë muskuj aq më të rinj dukeni./VOXnews