Shpesh keni parë një patkua kali të vendosur në derë, në makinë, apo në mur, por a e dini pse ka mbetur kjo?!
Ekzistojnë disa arsye. Nis që nga Mesjeta, njerëzit e asaj periudhe, besonin se patkonjtë e kuajve ishin fatndjellëse. Së pari ato ishin prej hekuri, një metal që prej kohësh besohej se shmangte shpirtrat e këqinj.
Arsyeja tjetër vjen nga legjenda e Shën Dunstanin në shekullin X-të.
Sipas legjendës, Dunstani punonte si një farkëtar, dhe një ditë në dyqanin e tij shkoi Djalli. Dunstani u shtir sikur nuk e njohu, dhe shkoi të marrë patkonjtë për kalin e Djallit. Por në vend se t’ia mbërthente kalit në këmbë, Dunstani i përdori për t’i mbërthyer ato në këmbët e Djallit.
Patkonjtë i shkaktuan Djallit dhimbje të madhe, por Dunstani tha se do t’ia hiqte, vetëm nëse premtonte se nuk do të hynte kurrë në një shtëpi me një patkua në derë.
Kështu nga ajo periudhë njerëzit filluan të blinin patkonj edhe pse nuk kishin kalë dhe i vendosnin kudo duke besuar se djalli nuk do të kalonte aty.
Patkoi besohej ndërkohë se shmangte shtrigat. Besohej se arsyeja se përse shtrigat udhëtonin hipur mbi fshesa, ishte për shkak se nuk ishin në gjendje të ngisnin kuajt. Pra, një magjistare do të ngurronte të hynte në cilëndo shtëpi me një patkua mbi derë.
Por patkonjtë u gdhendën gjithashtu edhe në direkët e anijeve, me besimin se kjo do të ndihmonte në shmangien e stuhive në det.
Patkoi i kalit njihet gjerësisht si simbol i lumturisë. Për shkak të ndërlidhjes më kuajt, patkoi përfaqëson forcën dhe besueshmërinë. Tek grekët, një patkua ka simbolizuar pjellorinë.