Vizita e Albin Kurtit në Tetovë e Çair trazon Shkupin e Beogradin. Reagojnë ashpër Pendarovski dhe Vuçiç

13 August 2023, 13:43Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vizita e Albin Kurtit në Tetovë e Çair trazon Shkupin e
Vuçiç: Promovoi 'Shqipërinë e Madhe'! Pendarovski: Të dënohen organizatorët

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dy komunat me shumicë shqiptare, Tetovë dhe Çair ka trazuar politikën në Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Kosovë.

Krerët e shtetit maqedonas kanë kërkuar hetim dhe dënim për organizatorët e pritjes së Kurtit, pasi sipas tyre kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën.

Presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, ka kërkuar nga organet kompetente që organizatorët e pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Çair të dënohen, pas shfaqjes së flamurit “Autoctonus”.

“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Lidhur me këtë, kërkoj nga organet kompetente që të kryejnë sa më shpejt procedurat e parapara”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.

Sipas tij, pika kryesore e një ikonografie provokuese nacionaliste “që promovon ide shoviniste madhështore përfaqëson nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, që pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat themelore të Traktatit Kornizë dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”.

“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend”, tha ai.

Në këtë drejtim, Pendarovski ka theksuar se pret që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse vendimi është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, “i cili duhet të përfshijë votat e komuniteteve jo shumicë në atë komunë”.

Të shtunën edhe zyra e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dënoi shfaqjen e flamurit “Autoctonus”, që u pa në koncertin e organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të vizitës së Kurtit, duke thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjet e këtij vendi.

“Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja”, thanë fillimisht nga kabineti i Kovaçevski-t.

Në Beograd, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e ka konsideruar "skandal" pasi sipas tij Kurti promovoi "Shqipërinë e Madhje".

“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç në një intervistë për “TV Pink”.

Reagime ka patur edhe nga opozita në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka vizituar Maqedoninë e Veriut, përkatësisht dy komunat e banuara me shumicë shqiptare – Çair dhe Tetovë.

Kurti nuk u takua me liderët e partive më të mëdha shqiptare atje, të cilit janë pjesë e ekzekutivit maqedonas, specifikisht me Ali Ahmetin – liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim – dhe Arben Taravari – kryetarin e Aleancës Shqiptare.


Video