Trump “shumë i pakënaqur” për sulmin izraelit në Katar. Edhe Erdogan dënon sulmin e Izraelit në Doha

10 September 2025, 15:22Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trump “shumë i pakënaqur” për sulmin izraelit në
Nje ndertese e demtuar nga sulmi izraelit ne Katar

Presidenti Danald Trump është shprehur i zemëruar dhe i zhgënjyer nga sulmi izraelit në Doha, duke thënë se ishte “shumë i pakënaqur me çdo aspekt të tij”.

Duke folur para gazetarëve në Uashington mbrëmë, ai e bëri të qartë pakënaqësinë e tij.

“Nuk jam aspak i kënaqur me gjithë këtë situatë. Nuk është një situatë e mirë, por po e them këtë. Ne duam kthimin e pengjeve, por nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si ndodhi sot”, tha ai.

“Nuk më befason asgjë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme”, shtoi Trump.

Në një postim në rrjetin e tij social më herët, Trump shkroi se vendimi për të sulmuar ishte marrë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe jo prej tij. Ai sqaroi se kur administrata e tij ishte njoftuar për sulmin, nga ushtria amerikane, tashmë kishte qenë tepër vonë për ta ndaluar bombardimin.

Ai shtoi se bombardimi i njëanshëm i Katarit, të cilin e përshkroi si një aleat të fortë dhe mik të Shteteve të Bashkuara, nuk i shërbente as qëllimeve të Izraelit dhe as atyre të Amerikës.

Presidenti Trump tha se kishte biseduar si me kryeministrin izraelit, ashtu edhe me Emirin e Katarit, për t’i siguruar se një sulm i tillë nuk do të përsëritej më në territorin e tyre.

Edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar sulmin e Izraelit në kryeqytetin Doha të Katarit, që synonte anëtarët e Hamasit, duke deklaruar se Izraeli shkeli ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Katarit, raporton Anadolu.

"Sulmi i Izraelit ndaj delegacionit negociues të Hamasit në Katar ka demonstruar edhe një herë qartë tërbimin e verbër të qeverisë së (Benjamin) Netanyahut dhe qëllimin e saj për të thelluar konfliktin dhe paqëndrueshmërinë", tha Erdoğan në mediat sociale.

Erdogan theksoi se Turqia qëndron me palestinezët dhe aleatin, mikun dhe partnerin e saj strategjik, Katarin, me të gjitha mjetet e saj, si dhe shtoi se ata që e bëjnë terrorizmin një politikë shtetërore nuk do të kenë kurrë sukses.

"Ne do të qëndrojmë të vendosur kundër veprimeve të pamatura të Izraelit që e zvarrisin rajonin në katastrofë dhe do të vazhdojmë të mbrojmë paqen, ligjin ndërkombëtar dhe lirinë e popullit palestinez me çdo kusht", tha ai.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kreu një "sulm të saktë që synonte udhëheqjen e lartë" të grupit palestinez.

Katari e dënoi sulmin "frikacak", duke theksuar se sulmi kishte në shënjestër ndërtesat e banimit ku ndodheshin anëtarë të byrosë politike të Hamasit.

Shteti i Gjirit, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, ka luajtur një rol qendror në përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 64 mijë palestinezë që nga tetori i vitit 2023.


Video