I ngarkuari i përkohshëm me punë i Rusisë në Poloni, Andrei Ordash mohon pretendimet se dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore polake.
“Ne besojmë se këto pretendime janë të pabaza. Nuk ka asnjë provë që këta dronë janë me origjinë ruse”, thotë Andrey Ordash për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti.
Ai gjithashtu i tha agjencisë se është thirrur nga ministria e Jashtme polake në lidhje me këtë çështje.
Autoritetet ndërkombëtare dhe aleatët euroatlantikë kanë theksuar nevojën për verifikim dhe transparencë, ndërsa situata në kufijtë lindorë të BE-së dhe NATO-s mbetet tepër e tensionuar.
Nga ana e tij kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha në parlament se gjatë natës janë shënuar 19 hyrje të paautorizuara në hapësirën ajrore polake, pjesa më e madhe e dronëve duke ardhur nga Bjellorusia.
Ai shtoi se është konfirmuar rrëzimi i tre dronëve, ndërsa një i katërt ka shumë gjasa të jetë goditur.
“Fakti që këta dronë, të cilët paraqisnin kërcënim për sigurinë, u rrëzuan, e ndryshon situatën politike. Për këtë arsye, konsultimet me aleatët morën formën e një kërkese zyrtare për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s”, tha Tusk.