Dronë të Rusisë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë në orët e para të së mërkurës në atë që autoritetet në Varshavë e cilësuan një akt të rëndë agresioni.
Komanda e ushtrisë polake bëri të ditur se dronët kishin shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s, gjatë një vale sulmesh në Ukrainën perëndimore, por se këto shkelje kishin përfunduar.
Siç thuhet, objektet ishin rrëzuar nga forcat e armatosura polake, duke shënuar herën e parë që një anëtar i NATO-s angazhohet direkt kundër aseteve ruse në territorin e vet qe prej fillimit të luftës.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, u shpreh:
“Hapësira ajrore e NATO-s u shkel nga një numër i madh dronësh rusë. Ata që përbënin kërcënim u qëlluan nga pilotët polakë të NATO-s. Me gjasë bëhet fjalë për një provokim në shkallë të gjerë nga ana e Moskës. Është hera e parë që dronët rusë rrëzohen mbi territorin e një shteti anëtar të NATO-s. Aleatët tanë po e trajtojnë situatën me shumë seriozitet”.
Donald Tusk thotë se Polonia është më afër se kurrë konfliktit të armatosur që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ai shton se Varshava ka kërkuar të përdorë Nenin 4 të NATO-s, i cili do të sillte zyrtarisht një çështje urgjente në Këshillin e Atlantikut të Veriut.
Neni 4 i Traktatit të Atlantikut të Veriut i lejon çdo vendi anëtar të kërkojë konsultime me aleatë të tjerë, nëse beson se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria” e tyre është e kërcënuar, duke filluar diskutime brenda Këshillit të Atlantikut të Veriut për të adresuar shqetësimin dhe potencialisht për të çuar në vendime ose veprime të përbashkëta, por nuk është një përgjigje ushtarake.
Ai shërben si një mekanizëm thelbësor për diplomacinë dhe konsultimin parandalues, i ndryshëm nga mbrojtja kolektive e Nenit 5 dhe është thirrur disa herë në historinë e NATO-s, veçanërisht nga shtetet baltike dhe Polonia pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Forcat e armatosura polake thonë se dronët rusë janë ‘rrëzuar’, hera e parë që vendi i NATO-s ka angazhuar drejtpërdrejt asete ruse në hapësirën e tij ajrore që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022.