Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, ka dhënë një mesazh të fortë mbi gjendjen aktuale të Bashkimit Europian dhe sfidat globale me të cilat përballet kontinenti.
Në një fjalim të mbajtur para deputetëve të Parlamentit Europian, Von der Leyen theksoi se “Europa është në një gjendje kritike”, dhe bëri thirrje për një rilindje të Europës si një fuqi e pavarur, e bashkuar dhe në paqe.
Gjatë fjalimit të saj, Ursula von der Leyen u ndal në situatën e sotme në Poloni, ku u rrëzuan mbi 10 dronë rusë të cilat ishin të destinuara për të sulmuar Ukrainën.
“Sot kemi qenë dëshmitarë të një shkeljeje të papërgjegjshme dhe të paprecedentë të hapësirës ajrore polake dhe evropiane nga më shumë se 10 dronë rusë Shahid. Europa shpreh solidaritet të plotë me Poloninë”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Mesazhi i Putinit është i qartë dhe përgjigja jonë duhet të jetë e qartë gjithashtu. Duhet të ushtrojmë presion, më shumë sanksione, po përgatisim paketën e 19 të sanksioneve, të godasim energjetikën ruse.
Po vlerësojmë veçanërisht eliminimin më të shpejtë të karburanteve fosile ruse, po shqyrtojmë flotën e errët dhe vendet e treta dhe, njëkohësisht, kemi nevojë për mbështetje më të madhe për Ukrainën. Askush nuk ka bërë më shumë se Evropa për Ukrainën, duke nisur nga 117 miliardë Eurot. Nuk duhet të jenë vetëm taksapaguesit evropianë, duhet të paguajë Rusia për dëmet që i ka shkaktuar Ukrainës. Prandaj duhet të punojmë me shpejtësi për të gjetur mundësi të tjera për rindërtimin e Ukrainës, duke sekuestruar asetet ruse”, tha von der Leyen.
"Europa do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Në çdo vend që ka vizituar, kam dëgjuar të njëjtin mesazh: nuk ka kohë për të humbur. Në Këshillin e ardhshëm Europian, ne do të paraqesim një plan të qartë për të nisur projekte të reja të përbashkëta mbrojtëse, për të vendosur objektiva të qarta për vitin 2030 dhe për të krijuar një Semestër Evropian të Mbrojtjes. Viti 2030 është nesër dhe Evropa duhet të përgatitet sot", theksoi von der Leyen.
Ajo shtoi se do të ndërtohet një mur mbrojtës me dronë mbi Kievin.
“Mund të njoftoj gjithashtu se Europa do të paradhurojë 6 miliardë euro nga kredia e G7-ës dhe do të nënshkruajë një aleancë për dronët me Ukrainën. Ukraina ka zgjuarsinë. Ajo që i duhet tani është shkalla industriale. Dhe së bashku mund t’ia sigurojmë këtë: që Ukraina të ruajë avantazhin e saj konkurrues ndaj Rusisë dhe Europa të forcojë të vetin. Do të ndërtojmë një mur dronësh”, tha Ursula von der Leyen në Strasburg.
Von der Leyen ka deklaruar ndër të tjera për një plan me 3 pika për të mbrojtur Gazën dhe ndëshkuar Izraelin.
“Komisioni do të bëjë gjithçka që mundet të bëjë. Ne duhet të ndalim të gjitha pagesat për shtetin e Izraelit, shoqërinë civile në këtë shtet.
Së dyti, duhet të vendosim për veprime të tjera me Parlamentin Evropian kundër ministrave ekstremistë, për ata që nxisin dhunën në këtë rajon, dhe do propozojmë ndërprerjen e marrëveshjes së asociimit me Izraelin derisa të ndalet dhuna në Gaza. Jam e vetëdijshme që kjo do të jetë e vështirë të gjejë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare dhe mund të duket e tepruar, por ne duhet të marrim përgjegjësi mbi vete.
Plani i tretë është të ofrojmë mbështetje humanitare për rindërtimin e Gazës. Kjo do të jetë një përpjekje ndërkombëtare në bashkëpunim me partnerët evropianë”, tha von der Leyen.
Ajo shtoi gjithashtu se pengjet duhet të lirohen menjëherë, të shpërndahen ndihmat në zonë dhe të arrihet një marrëveshje.
“Por në afatgjatë duhet të kemi dy shtete, dhe t’i jepet fund terrorit nga Hamasi. Është koha të arrijmë një marrëveshje mes palëve që të arrihet një paqe”, shtoi von der Leyen.