Situata në Lindjen e Mesme, Macron: Spiralja e kaosit të marrë fund, kthehuni te negociatat

23 Qershor 2025, 21:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidenti francez Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një rikthim në diplomaci për t'i dhënë fund asaj që ai e quajti "spirale kaosi" pas sulmit hakmarrës të Iranit në një bazë ushtarake amerikane në Katar.

Në një postim në rrjetin social "X", Macron u bëri thirrje "të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtjen maksimale, të ulin tensionet dhe të kthehen në tryezën e negociatave".

Më parë, ministri i jashtëm Jean-Noel Barrot i tha televizionit France 2 se sulmet me raketa, të cilat nuk kishin shkaktuar viktima, ishin një "përshkallëzim i rrezikshëm" dhe ai u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje.

"Shpreh solidaritetin e Francës me Katarin, i cili është goditur nga Irani në tokën e tij. Jam në kontakt të ngushtë me autoritetet e vendit dhe partnerët tanë në rajon.

U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtjen maksimale, të qetësojnë situatën dhe të kthehen në tryezën e negociatave. Kjo spirale kaosi duhet të marrë fund", shkruan Macron.

Video