Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit deklaroi se sulmi me raketa ndaj bazës ushtarake amerikane Al Udeid në Katar është kryer larg zonave të banuara dhe nuk përbën rrezik për “popullin apo shtetin mik të Katarit”.
“Kjo veprimtari nuk përbën asnjë kërcënim për vendin mik dhe vëllazëror, Katarin, apo për popullin e tij fisnik. Republika Islamike e Iranit mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të ngrohta dhe historike me Katarin,” thuhet në deklaratën zyrtare.
“Sulmet me raketa të barabarta me numrin e bombave amerikane”
Irani deklaroi më herët se sulmi me raketa ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar ishte i barabartë në numër me bombat që SHBA hodhi mbi objektet bërthamore iraniane gjatë fundjavës, duke sinjalizuar një dëshirë të mundshme për de-përshkallëzim, sipas raportimeve të Associated Press.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën në mbrëmje nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit, thuhej se baza ishte zgjedhur si objektiv sepse ndodhet jashtë zonave të banuara.
Autoritetet e Katarit konfirmuan se nuk pati të lënduar nga sulmi.
Katari reagoi ashpër, duke e dënuar sulmin si një shkelje të hapur të sovranitetit të tij.
Katari: Asnjë viktimë nga sulmi ndaj bazës amerikane
Katari ka deklaruar se nuk ka viktima në bazën ushtarake amerikane Al Udeid në Doha, pas sulmit të ndërmarrë nga Irani ndaj këtij objekti.
Sipas autoriteteve, mbrojtja ajrore e Katarit ka ndërprerë sulmin me raketa, duke shmangur dëme më të mëdha.
“Jemi të sigurt se mbrojtja ajrore e Katarit e pengoi sulmin dhe i ndërpreu me sukses raketat iraniane”, thuhet në deklaratën zyrtare të Katarit.
Katari e ka cilësuar sulmin iranian ndaj bazës ushtarake amerikane al Udeid si një “shkelje flagrante të sovranitetit të tij”, duke dënuar ashpër veprimin.
Gjithashtu, Katari njoftoi se ruan të drejtën për të reaguar drejtpërdrejt dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Çfarë dimë deri tani për sulmin iranian ndaj bazës amerikane në Katar
- Irani kishte paralajmëruar se do të hakmerrej ndaj bazave amerikane dhe personelit ushtarak në Lindjen e Mesme, pas sulmit të SHBA-ve ndaj objekteve të saj bërthamore të dielën.
- Ambasadat e SHBA dhe Britanisë në Katar kishin lëshuar më herët deklarata ku u rekomandohej qytetarëve të tyre të qëndronin të strehuar derisa të kishin njoftime të mëtejshme.
- Katari njoftoi se mbylli përkohësisht hapësirën ajrore, si pjesë e masave për të garantuar sigurinë e banorëve dhe vizitorëve.
- Flakë ndriçuese u panë mbi kryeqytetin Doha, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore të bazës al-Udeid u panë teksa lëshonin raketa në qiell. Dëgjoheshin shpërthime të fuqishme në të gjithë kryeqytetin.
- Garda Revolucionare e Iranit konfirmoi sulmin ndaj bazës ajrore al-Udeid.