Vuçiç kritikon SHBA-në: Shkelën të drejtën ndërkombëtare! Ligjet dhe drejtësia kanë pushuar së ekzistuari në botë

23 June 2025, 17:24Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vuçiç kritikon SHBA-në: Shkelën të drejtën
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkelur ligjin ndërkombëtar me sulmin ndaj bazave të pasurimit të uraniumit në Iran.

Gjatë një konference për mediat lidhur me forcimin e kapaciteteve të ushtrisë serbe, Vuçiç tha se sot në botë nuk ekziston më ligji, drejtësia dhe rregullat.

“Sipas kësaj doktrine, ushtria jonë duhet të jetë pakrahasueshëm më e fortë. Gjatë vitit të kaluar, kemi bërë shumë për të modernizuar dhe avancuar ushtrinë tonë. Sot, kemi një situatë në botë në të cilën ligji dhe drejtësia kanë pushuar së ekzistuari prej kohësh dhe nuk ka më rregulla. Ne duhet ta pranojmë dhe ta kuptojmë këtë”, tha Vuçiç, raporton gazeta serbe Blic.

Vuçiç, në një deklaratë të pazakontë, vlerësoi forcën e ushtrisë së Kroacisë, duke thënë se është ndër më të fortat dhe tha se do të vëzhgojë me vëmendje paradën e tyre ushtarake, për të parë se çfarë kapacitetesh kanë.

Ashtu siç e ka zakon, të luajë me dy palë karta, Vuçiç tha se vendi i tij është mik si me Iranin dhe me Izraelin dhe se shpreson për paqe. Ai gjithashtu tha se “nuk ka dyshim” se SHBA e shkeli të drejtën ndërkombëtare.

"Të dy kombet janë miqësore me ne. Ne duam paqe dhe nuk e kuptoj pse gjërat nuk u zgjidhën përmes diplomacisë. Për të qenë specifik, sepse një person duhet të jetë i drejtë si me veten ashtu edhe me vendin e tij. Ne duam marrëdhëniet më të ngushta me Shtetet e Bashkuara, një partneritet strategjik. Ne jemi një vend i vogël. Por nëse ata shkelën të drejtën ndërkombëtare publike, nuk ka dyshim", tha Vuçiç, siç raportohet nga Nova.rs.


Video