“Shtëpia e Kandaharit kundër Shtëpisë së Kabulit” - Përplasja që mund të rrëzojë pushtetin e talebanëve në Afganistan

15 Janar 2026, 21:27Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përplasja që mund të rrëzojë pushtetin e talebanëve në Afganistan

Një regjistrim audio i siguruar nga BBC ka zbuluar se shqetësimi më i madh i udhëheqësit të talebanëve nuk vjen nga jashtë Afganistanit, por nga brenda vetë lëvizjes që mori pushtetin pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme dhe tërheqjes së forcave amerikane në vitin 2021.

Në këtë audio të rrjedhur, udhëheqësi suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, dëgjohet duke paralajmëruar për përçarje të brendshme mes anëtarëve të qeverisë së Emiratit Islamik. Ai thotë se këto ndarje mund të çojnë deri në shembjen e vetë pushtetit të tyre.

“Si pasojë e këtyre përçarjeve, emiratin do ta zërë fundi”, dëgjohet të thotë ai.

Fjalimi ishte mbajtur në janar të vitit 2025 në një medrese në qytetin jugor të Kandaharit dhe ndezi edhe më shumë thashethemet që prej muajsh qarkullonin për mosmarrëveshje serioze në krye të talebanëve.

“Shtëpia e Kandaharit kundër Shtëpisë së

Zyrtarisht, udhëheqja i ka mohuar gjithmonë këto ndarje, edhe kur është pyetur drejtpërdrejt nga BBC.

Megjithatë, këto dyshime shtynë shërbimin afgan të BBC-së të zhvillonte një hetim 1-vjeçar, me mbi 100 intervista me anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të talibanëve, burime vendore, ekspertë dhe diplomatë të mëparshëm. Për arsye sigurie, identiteti i tyre nuk bëhet publik.

Për herë të parë, BBC ka arritur të tregojë qartë ekzistencën e dy grupeve të ndryshme në krye të talebanëve, secili me një vizion të ndryshëm për të ardhmen e Afganistanit.

Grupi i parë është plotësisht besnik ndaj Akhundzadës, i cili drejton nga Kandahari dhe po e shtyn vendin drejt një shteti shumë të mbyllur, me rregulla të rrepta fetare dhe kontroll të plotë të shoqërisë nga klerikë besnikë ndaj tij.

Grupi i dytë, i njohur si “grupi i Kabulit”, përbëhet nga figura të fuqishme të talibanëve që veprojnë kryesisht në kryeqytet. Ata mbështesin një Afganistan që, edhe pse fetar dhe konservator, të ketë lidhje me botën, të zhvillojë ekonominë dhe të lejojë arsimimin e vajzave dhe grave përtej shkollës fillore.

Një burim i brendshëm e përshkroi këtë përplasje si “Shtëpia e Kandaharit kundër Shtëpisë së Kabulit”.

Për një kohë të gjatë, mendohej se grupi i Kabulit nuk do të guxonte kurrë ta sfidonte hapur Akhundzadën, i cili sipas talebanëve konsiderohet sundues absolut, përgjegjës vetëm para Zotit.

Por gjithçka ndryshoi në fund të shtatorit, kur Akhundzada urdhëroi mbylljen e internetit dhe telefonisë në të gjithë Afganistanin, duke e shkëputur vendin nga bota. Pas 3 ditësh, shërbimi u rikthye pa asnjë shpjegim zyrtar.

Sipas burimeve të brendshme, pas kësaj fshihej një përballje e paprecedentë: grupi i Kabulit kishte vepruar kundër urdhrit të drejtpërdrejtë të udhëheqësit suprem dhe kishte rikthyer internetin.

Një ekspert i Afganistanit tha se bindja ndaj udhëheqjes është pjesë thelbësore e talibanëve dhe se ky veprim ishte “diçka e paimagjinueshme më parë”. Një burim e quajti hapur: rebelim.

Akhundzada ishte zgjedhur udhëheqës në vitin 2016 si figurë pajtuese, me dy zëvendës të fuqishëm: Sirajuddin Haqqanin dhe Yaqoob Mujahidin, djalin e themeluesit të talibanëve, Mullah Omar. Por pas marrjes së pushtetit, të dy u shtynë në role ministrore, ndërsa Akhundzada përqendroi pushtetin vetëm tek vetja.

“Shtëpia e Kandaharit kundër Shtëpisë së
Hibatullah Akhundzada, Sirajuddin Haqqani dhe Mohammad Yaqoob

Ai filloi të nxirrte urdhra pa konsultim, përfshirë ndalimin e arsimit për vajzat dhe kufizimin e grave nga puna, çka u kthye në burimin kryesor të tensioneve.

Ndërkohë, grupi i Kabulit, i përbërë nga figura që kanë parë botën dhe kuptojnë realitetin ndërkombëtar beson se vendi nuk mund të mbijetojë i izoluar. Ata nuk janë liberalë, por pragmatikë.

Mbyllja e internetit ishte pika e thyerjes, sepse prekte drejtpërdrejt pushtetin, tregtinë dhe interesat e tyre. Për herë të parë, ata vepruan së bashku dhe e përmbysën një urdhër të Akhundzadës.

Pas kësaj, u shtuan spekulimet: a do të ndëshkohen ministrat e Kabulit, apo ishte vetë Akhundzada ai që u tërhoq nga frika e përçarjes?

Zyrtarisht, talibanët mohojnë çdo ndarje. Zëdhënësi i tyre e quajti gjithçka “mospajtim si brenda një familjeje”. Por fjalimet e fundit, me mesazhe të kundërta nga figura të larta, tregojnë se përplasjet vazhdojnë.

Pyetja mbetet ende pa përgjigje: A do të shndërrohen këto fjalë dhe kundërshti në veprime konkrete për ndryshim?

Deri tani, përgjigjja është: jo ende!



Video