
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delsi Rodriguez, deklaroi mbrëmjen e sotme se vendi po hyri në një “epokë të re politike”, pas arrestimit më 3 janar të ish-presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane.
“Mesazhi është ai i një Venezuelë që hapet drejt një epoke të re politike, një epokë që lejon tolerancën pavarësisht dallimeve dhe përmes pluralizmit ideologjik dhe politik,” tha Rodriguez për gazetarët në Pallatin Presidencial Miraflores në Caracas. Ajo shtoi se që nga dhjetori janë liruar 406 të burgosur politikë, një proces që sipas saj kishte nisur Maduro.
Megjithatë, organizata joqeveritare Foro Penal raporton për 180 lirime në dy valë, atë të dhjetorit dhe valën aktuale që po vazhdon me ritëm të ngadaltë.
“Procesi nuk ka përfunduar ende, mbetet i hapur,” shtoi Rodriguez.
Sot më herët, Foro Penal dhe sindikata e gazetarëve SNTP njoftuan se janë liruar të paktën 17 gazetarë, përfshirë edhe gazetarë kritikë dhe politikanë si Roland Carreño.
Presidentja e përkohshme theksoi se nuk do të lirohen individë që akuzohen për “shkelje të rënda”, si vrasje apo trafik droge, duke marrë parasysh gjithashtu shkeljet që lidhen me “rendin kushtetues” dhe veprimet që përfshijnë “urrejtje, dhunë dhe përçarje”.
Gjatë presidencës së Maduro, qindra persona u arrestuan dhe u gjykuan për “nxitje urrejtjeje” dhe “tradhti ndaj atdheut”, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore dhe protestave politike.