Diskutimet në Shtëpinë e Bardhë mes zyrtarëve të Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-ve kanë përfunduar me mosmarrëveshje të thella. Edhe pse palët u ulën në bisedime, mesazhi i Danimarkës dhe Groenlandës ishte i prerë: Ishulli nuk mund të blihet.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, deklaroi pas takimit se ekzistojnë “mosmarrëveshje themelore” me administratën amerikane sa i përket të ardhmes së Grenlandës.
Presidenti Donald Trump ka shprehur hapur interesin e SHBA-ve për të blerë Groenlandën, duke e konsideruar këtë si një çështje të sigurisë kombëtare amerikane.
Megjithatë, për Danimarkën dhe popullin e Groenlandës, kjo ide është tërësisht e papranueshme.
Danimarka theksoi se çdo ide që nuk respekton integritetin e tyre territorial është e papranueshme.
“Çdo ide që nuk respekton kufijtë e Mbretërisë së Danimarkës dhe të drejtën e popullit të Groenlandës për të vendosur për veten, është plotësisht e papranueshme. Prandaj, ne kemi ende mospajtime rrënjësore, por kemi rënë dakord që të mos pajtohemi. Diskutimet u përqendruan te siguria afatgjatë e Groenlandës dhe këtu duhet të them se pikëpamjet tona ndryshojnë. Presidenti e bëri të qartë qëndrimin e tij, ndërsa ne kemi një pozicion tjetër. Ne, Mbretëria e Danimarkës, vazhdojmë të besojmë se siguria e Groenlandës mund të garantohet edhe në të ardhmen brenda rregullave dhe marrëveshjeve që kemi sot”, tha ai.
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, u shpreh se ata janë të hapur për të forcuar bashkëpunimin me SHBA-të, por kjo nuk do të thotë që ishulli duhet të zotërohet prej tyre.
SHBA-të kërkojnë kontroll mbi ishullin për shkak të pozicionit strategjik, por Danimarka beson se siguria mund të garantohet brenda kornizave aktuale.
Edhe pse nuk pati një marrëveshje, palët kanë rënë dakord të krijojnë një grup pune të nivelit të lartë që do të mblidhet brenda pak javësh.
Për momentin, Danimarka dhe Groenlanda kanë vendosur “vija të kuqe” të qarta: bashkëpunim ushtarak po, por shitje të territorit jo.