Atentati që mbylli udhëtimin e një krimineli: Si u ekzekutua Arkani në mes të Beogradit?

15 Janar 2026, 17:18Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arkani

Të shtunën, më 15 janar 2000, rreth mesditës, Zheljko Razhnatoviç (i njohur si Arkani), i shoqëruar nga dy truproja, doli nga ashensori dhe u drejtua për në hollin e Intercontinental në Beograd.

Disa sekonda më vonë, Dobrosha Gavriç, një oficer policie me profesion, së bashku me Milan Gjurishiç dhe Dragan Nikoliç kaluan hyrjen e hotelit dhe ecën shpejt drejt Arkanit, siç njihej gjerësisht në të gjithë botën.

Kur nxorën armët e tyre të sulmit, paraushtaraku famëkeq serb dhe dy truprojat e tij nuk patën kohë të reagonin dhe u shembën të vdekur.

Një pellg gjaku u formua ngadalë mes britmave dhe ulërimave, ndërsa një truproje-shofer që po priste jashtë, së bashku me të tjerë, e futën Arkanin në makinë, por tashmë është tepër vonë.

Personi që udhëhoqi masakrat në Bosnje e Kosovë, së bashku me “Tigrat” e tij, kishte marrë tre plumba në kokë dhe udhëtimi i tij i përgjakshëm kishte përfunduar, në një kohë të jetës së tij kur ndihej i paprekshëm.

“Kam frikë prej tij”

Diplomati amerikan Richard Holbrooke, ndërmjetës në Marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995 për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë, kishte zbuluar se Slobodan Millosheviçi kishte frikë prej tij.

Kur biseda u kthye te “arritjet” e Zheljko Razhnatoviçit gjatë luftës civile dhe ambiciet e tij, Holbrooke e pyeti udhëheqësin serb pse nuk po bënte asgjë për Arkanin dhe mori përgjigjen: “Kam frikë prej tij”.

Shumë të tjerë e kishin frikë gjithashtu, që kur ai ishte djali adoleshent i një piloti të Forcave Ajrore Jugosllave, i cili ishte kryesisht përgjegjës për karakterin e padisiplinuar të të birit.

Babai i tij u sigurua jo vetëm ta ndëshkonte për çdo gabim, por pothuajse ta rrihte për vdekje, pasi siç kujtoi vite më vonë, “të thuash se ai më rrahu nuk është plotësisht e saktë. Në realitet, ai më kapte dhe më hidhte pas mureve dhe dyshemeve”.

Ndoshta kjo është arsyeja pse fjalët “frikë” dhe “mëshirë” nuk ishin as të pranishme në karakterin e njeriut që u akuzua për krime të shumta lufte në ish-Jugosllavi.

Vendet që synonin “Tigrat e Arkanit”, siç quhej ushtria e tij e vogël, ishin ato me komunitete katolike dhe myslimane, duke shfarosur pa mëshirë burra, gra dhe fëmijë.

Atentati që mbylli udhëtimin e një krimineli: Si u ekzekutua

Grabitje, vrasje dhe arratisje

Aktivitetet kriminale të Arkanit filluan në vitet e tij të adoleshencës, kur ai filloi të vidhte portofole në Beograd dhe të merrej me vjedhje të vogla, ndërsa një qendër riedukimi ku përfundoi ndoshta e bëri atë edhe më të keq si personazh. Në fillim të viteve 1970 ai do linte pas Jugosllavinë dhe do shkonte në Paris kur u arrestua nga policia franceze dhe u dërgua mbrapsht.

Pikërisht atëherë ai u rekrutua nga Shërbimi Jugosllav i Sigurisë UDBA, i cili kishte nevojë për një vrasës të mirë që mund të gjurmonte disidentët jashtë vendit dhe të bënte gjënë e duhur.

Falë kësaj marrëdhënieje, Arkani – emri i famshëm erdhi vetëm si një nga dhjetëra pasaporta të falsifikuara që ai kishte – ky kriminel mori një mbështetje të fortë.

Në vitet në vijim, ai do të merrte pjesë në grabitje, vjedhje, vrasje dhe trafikim qeniesh njerëzore, duke arritur kështu të ishte evident në listën e Interpolit të kriminelëve më të kërkuar.

Aktivitetet e tij u zgjeruan në Belgjikë, Holandë, Suedi dhe Gjermani, ku ai u arrestua të paktën tre herë, por në një mënyrë “magjike” u arratis nga tre burgje dhe një spital.

Kryekomandanti i tmerrit

Më 13 mars 1990, erërat e luftës civile filluan të frynin në Jugosllavi, disa javë pas zgjedhjeve të para të lira në Kroaci.

Atë ditë, Crvena Zvezda serbe po luante në Zagreb kundër Dinamos kroate dhe Arkani, i cili tani ishte edhe udhëheqësi i Delijeve – tifozëve të zjarrtë të Crvena-s, udhëhoqi 1,500 prej tyre në stadiumin Maksimir.

Incidentet e tmerrshme që shpërthyen midis serbëve dhe kroatëve treguan se më e keqja ende nuk kishte ardhur, dhe në tetor të atij viti ai krijoi Gardën Vullnetare Serbe, e cila do të bëhej e njohur gjerësisht si “Tigrat e Arkanit”.

“Parashikova luftën pas përfundimit të asaj lufte në Zagreb”, do të thoshte ai vite më vonë në një intervistë. “Parashikova gjithçka dhe e dija se thika e ustashëve (një grup paraushtarak famëkeq që vepronte në Kroaci dhe kërkonte një vend “të pastër” nga ana racore me vrasje masive të serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore) do të fillonte të masakronte gratë dhe fëmijët e Serbisë”.

Nga viti 1991 deri në vitin 1995, “Tigrat” e tij me të si udhëheqës kryen mizori kundër myslimanëve dhe katolikëve në Bosnjë, kryesisht, ndërsa në Serbi shumica e trajtuan atë si një hero kombëtar, një njeri që kishte dhe tre martesa, pati prej tyre tetë fëmijë dhe ku gruaja e me e fundit e tij ishte këngëtarja më e njohur e vendit, Ceca.

Atentati që mbylli udhëtimin e një krimineli: Si u ekzekutua

Shumë veta e kujtojnë duke drejtuar një Cadillac rozë në klube, ku gjatë luftës u bë dhe biznesmen dhe në qershor të vitit 1995 bleu edhe një ekip futbolli, Obiliqin e Beogradit. Në vitin 1998, ata u bënë kampionë, diçka që dukej e pamundur, por sipas legjendës urbane, Razhnatoviç u sigurua që ekipet kundërshtare të dinin se do të ishte mirë të humbisnin kur luanin kundër ekipit të tij.

Disa orë pas vrasjes së tij, një gazetar serb e përshkroi atë si idhullin e çdo krimineli në botë. Një idhull që la gjurmën e tij të përgjakshme në mënyrë të pashlyeshme në fshatrat boshnjake, në qytete si Vukovari dhe në varre masive ku u varrosën “të pafetë” fatkeq që u gjendën para “Tigrave” të tij gjakatarë.



Video