Shqipëria në KS: Rusia s’mund të detyrojë Ukrainën që të mos i bashkohet NATO-s

31 January 2022, 19:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqipëria në KS: Rusia s’mund të detyrojë

Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kritikuar presionin rus ndaj Ukrainës. Mbledhja e këtij këshilli u thirr me urgjencë nga ana e SHBA.

“Zhvillimet në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës nuk janë të reja, janë pamje që i kemi parë më parë në Gjeorgji”, deklaroi ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.

Sipas qëndrimit të palës shqiptare, Rusia nuk mund të detyrojë një vend sovran se cilës organizatë ndërkombëtare t’i bashkohet dhe cilës jo.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u përballën me njëra-tjetrën. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se Uashingtoni i konsideron veprimet e Moskës, “një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë”. Kremlini e quan takimin e së hënës “një manovër marrëdhëniesh publike”.

Këshilli i Sigurimit nuk ka pothuajse asnjë gjasë që të miratojë ndonjë qëndrim zyrtar, duke patur parasysh se Rusia ka të drejtë vetoje, si edhe lidhjet e saj me anëtare të tjera të përhershme, përfshirë Kinën.

Ambasadori i Kinës në OKB, tha të hënën se Pekini nuk e sheh grumbullimin e trupave ruse në kufi me Ukrainën si një kërcënim.

Por ngritja nga Shtetet e Bashkuara e çështjes së trupave ruse në forumin më të lartë të OKB-së, u jep mundësi të dyja palëve të përballen në një skenë globale në betejën mes tyre për opinionin ndërkombëtar.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën ka nxitur paralajmërime gjithnjë e më të forta nga Perëndimi se Moska mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë.

Rusia ka kërkuar që NATO-ja të mos lejojë kurrë Ukrainën të anëtarësohet në aleancë, të ndalë vendosjen e armatimeve të NATO-s pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore, kërkesa që janë hedhur poshtë zyrtarisht nga Uashingtoni dhe aleanca e NATO-s.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk arritën ndonjë përparim në takimin që patën para disa ditësh në Gjenevë.

Ata pritet të zhvillojnë të martën një bisedë telefonike.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha të premten se “grumbullimi i forcave ruse mund të jetë një përpjekje e Moskës për të ushtruar trysni dhe “presion psikologjik”, si dhe të mbjellë panik.

Kryeministri britanik Boris Johnson pritet të vizitojë Ukrainën të martën dhe të hënën ai pritet të flasë me Presidentin Putin, për t’i bërë thirrje “të tërhiqet” nga planet që ka për Ukrainën, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit britanik. Kryeministri Johson ka thënë se po shqyrton mundësinë e dërgimit të qindra ushtarëve britanikë në vendet e NATO-s në rajonin e Baltikut.


Video