
Sipas Shërbimit Sekret Gjerman BND dhe dy agjencive holandeze të shërbimit sekret MIVD dhe AIVD, raportojnë se Rusia po rrit përdorimin e armëve kimike në Ukrainë.
Njoftimet për përdorimin e kloropikrinës, një lëndë kimike luftarake që dëmton mushkëritë, i konfirmoi edhe vetë qeveria gjermane.
Ekspertët pohojnë se në përqendrime të larta dhe në ambiente të mbyllura kloropikrina, e cila është përdorur edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.
Zëdhënësi i ekzekutivit gjerman Stefan Kornelius, pohoi se përdorimi i gazit lotsjellës dhe i armëve të tjera kimike nga Rusia në luftën në Ukrainë, përbën shkelje të rëndë marrëveshjes për ndalimin e përdorimit të lëndëve kimike.
Kjo situatë nuk e ka lënë indiferente as Holandën, me ministrin e mbrojtjes Ruben Brekelmans, që informoi Parlamentin në Hagë për faktin se përdorimi i armëve të tilla nga forcat e Moskës po bëhet tashmë në shkallë të gjerë dhe në mënyrë sistematike.
“Ky është një zhvillim i rrezikshëm, krejtësisht i papranueshëm dhe tregon edhe një herë brutalitetin e agresorit me të cilin po përballet Ukraina” – tha ai.
Përdorimi i armëve kimike në konflikte nga Rusia është gjithashtu rrezik për “pjesën tjetër të Evropës dhe për botën”, tha Brekelmans.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes deklaroi se Rusia ka përdorur deri tani mbi 9,000 herë armë kimike kundër trupave ukrainase. Sipas Kievit të paktën tri vdekje mund t’u atribuohen drejtpërdrejt efekteve të armëve kimike.