Në rreth 70 qytete italiane, të hënën e 22 shtatorit, u zhvillua një grevë e përgjithshme, me mijëra protestues që kërkonin armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe që konfirmonin mbështetjen për flotlijen Global Sumud, që po përpiqet të dërgojë ndihma për popullin palestinez.
Në Milano, protesta për Gazën që mblodhi në shesh mbi dhjetë mijë persona, është mbyllur me përplasje dhe tensione brenda dhe jashtë Stacionit Qendror, ndërsa raportohet se kanë mbetur të lënduar rreth 60 efektivë të policisë dhe të paktën 10 protestues janë arrestuar deri më tani.

Pas disa orësh marshimi, studentë, mësues, familjarë dhe aktivistë iu drejtuan hollit kryesor të stacionit. Këtu, situata doli jashtë kontrollit dhe shumë studentë, banorë dhe profesorë ikën.
Corriere della Sera shkruan se një grup protestuesish me veshje të zeza tentoi të hyjë në stacionin hekurudhor: hyrja u mbyll menjëherë nga forcat e rendit me kordone të fortë. Pastaj pasuan shtyrje, hedhje tymuesesh dhe përplasje më të lehta. Një grup i dhunshëm përdori tabelat e rrugëve dhe koshat e plehrave për të thyer xhamat dhe dyert e hyrjes së stacionit.
Policia reagoi menjëherë, duke detyruar protestuesit të tërhiqeshin. Studentët, qindra prej tyre, fillimisht u përpoqën të hynin nga stacioni i metrosë, por u bllokuan nëpër shkallët lëvizëse nga efektivët me shkopinj. U hodhën shumë tymuese dhe pati përpjekje për të thyer kordonin e forcave policore. Disa protestues hodhën objekte dhe pjesë skelash drejt policisë që donte t’i pengonte, dhe pastaj u mbyllën dyert hyrëse të stacionit.
Dhjetëra persona u detyruan të strehoheshin në kafetë brenda ose të mbulonin fytyrën me shall ose bluzë për shkak të tymit.
Në pak minuta rendi publik u kthye në kaos. “Jo kështu nuk bëhet një protestë,” thirrën disa protestues paqësorë, ndërsa të tjerë tentonin të qetësonin më të trazuarit. Tensioni shpërtheu pak orë pas protestës që deri atëherë kishte patur një pjesëmarrje të rregullt nga studentë e mësues, me slogane dhe pankarta kundër luftës.
Si rezultat i protestës shumë udhëtime me tren u anuluan dhe pati vonesa deri në 120 minuta në Stacionin Qendror të Milanos.
Ndërkohë në shkollat e çdo niveli, orët u ndërprenë për shkak të pjesëmarrjes së mësuesve ose stafit mbështetës në grevë. Edhe në kopshte dhe parashkolla pati mbyllje ose orare të reduktuara.