Një murgeshë katolike nga Kroacia, e cila pretendoi se ishte sulmuar me thikë, rezultoi se ishte vetëlënduar dhe policia planifikon ta ndjekë penalisht me akuzën e kallëzimit të rremë.
Murgesha 35-vjeçare u pranua në një spital të Zagrebit të premten me lëndime të lehta në bark. Pasi doli nga spitali, ajo shkoi në një stacion policie dhe paraqiti një kallëzim.
Sipas policisë, ajo pretendoi se një i panjohur iu afrua dhe e theri me thikë.
“Sulmi” ndaj murgeshës shkaktoi një valë komentesh islamofobike dhe anti-emigrante në internet dhe në disa media konservatore. Disa shkruan se sulmuesi ishte një punëtor ose emigrant i huaj dhe se ai bërtiti “Allahu Ekber” kur e goditi.
“Sulmi ndaj murgeshës në Zagreb është një sulm ndaj vlerave të shoqërisë kroate dhe evropiane, e cila është e rrënjosur në Krishterim”, tha Marijana Petir, një deputete konservatore, duke kërkuar “një hetim të shpejtë” për çështjen.
Por pasi policia hetoi plotësisht rastin, arriti në përfundimin se murgesha ishte plagosur me një thikë që e kishte blerë në një dyqan.
Raportimi i rremë dënohet në Kroaci me tre vjet burg.