Rusia ka kryer sot një nga bombardimet më të mëdha të muajve të fundit ndaj infrastrukturës ukrainase, duke lëshuar 653 dronë dhe 51 raketa gjatë natës.
Sipas autoriteteve, shumica u rrëzuan, por një nga goditjet shkatërroi stacionin hekurudhor në Fastiv, pranë Kievit dhe dëmtoi material hekurudhor.
Sulmet kanë shënjestruar sërish sektorin energjetik, duke goditur objekte në tetë rajone dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë, shkruan BBC.
Agjencia bërthamore e OKB-së njofton gjithashtu se centrali i Zaporizhias mbeti përkohësisht pa energji, hera e 11-të që nga fillimi i pushtimit.
Kievi dënoi sulmet si të paligjshme dhe pa vlerë ushtarake, ndërsa Rusia i cilësoi ato si “goditje masive” në përgjigje të sulmeve të supozuara ukrainase ndaj objektivave civile.
Sulmet ndodhën teksa në Florida po zhvillohen bisedime trepalëshe midis SHBA-ve dhe Ukrainës për një kuadër të mundshëm sigurie, ndërsa negociatat me Rusinë nuk kanë sjellë ende rezultat.
Në një intervistë për India Today të premten, 5 dhjetor, Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se forcat ukrainase duhet të tërhiqen plotësisht nga Donbas këtë javë, përndryshe “Rusia do t’i marrë këto territore me forcë”.
Kievi dhe aleatët evropianë besojnë se mënyra më efektive për të parandaluar agresionin e ardhshëm rus është anëtarësimi i Ukrainës në NATO ose ofrimi i garancive të forta të sigurisë. Rusia është kundër kategorikisht, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur disa herë se nuk ka ndërmend të lejojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.