Ndihma prej 350 mln dollarësh e SHBA për Ukrainën u miratua, por dërgesa mund të dojë disa ditë që të mbërrijë në Kiev, atje ku kanë më shumë nevojë ukrainasit.
Rruga e vetme e furnizimit me armë të rezistencës ukrainase ka mbetur Polonia, duke qenë se Rusia kontrollon thuajse të gjithë hapësirën ajrore të vendit.
Polonia vetë dërgoi të premten një karvan me municione dhe armë, që pasi kaloi kufirin mes dy vendeve mbërriti në Lviv, qytetin më të madh perëndimor të Ukrainës.
Të njëjtën rrugë pritet të ndjekin edhe armët amerikane, ashtu si ato britanike më herët. Britania e Madhe ka dërguar pajisjet e saj të famshme NLAW, që konsiderohen armët më vdekjeprurëse kundër tankeve.
Shënjestra e këtyre armëve është e pashoqe, sepse predhat e lëshuara prej tyre orientohen nga një sistem mbi bazën e nxehtësisë së motorit të tankeve.