
Aeroporti ndërkombëtar i Baselit në Zvicër u evakuua ditën e sotme për arsye sigurie.
Siç raporton Blick, euroaeroporti Basel-Mulhouse duhej të evakuohej të enjten pasdite. Arsyeja e saktë e evakuimit fillimisht ishte e paqartë. Por më vonë prefektura zvicerane konfirmoi për Blick se "terminali duhej të evakuohej për arsye sigurie pas një kërcënimi me bombë". Për Blick ka folur edhe një udhëtar që ishte prezent aty.
“Ne jemi në aeroplan. Informacioni që kemi është se ndoshta do të duhet të qëndrojmë në aeroplan për të paktën një orë. Askush nuk ka informacion të saktë”, ka thënë ai.
Ndërsa autoritetet franceze janë në alarm pas kërcënimeve të reja me bombë në pesë aeroporte të vendit. Alarmi për bombë u dha në aeroportet e Bordeaux, Nantes, Lille, Montpellier dhe Beauvais.
Pasi janë kryer kontrollet e nevojshme, aeroportet e Nantes dhe Lille janë rihapur. Sipas Bfmtv, në aeroportin e Lille evakuimi filloi rreth orës 10:30 me orën lokale.
Në fakt, në atë kohë në aeroport ndodhej edhe avioni i Emmanuel Macron, pasi presidenti francez mori pjesë në funeralin e mësuesit që u vra të premten në Arras, sipas mediave franceze.
Disa fluturime janë devijuar dhe priten sërish vonesa të konsiderueshme gjatë gjithë ditës. Është dita e dytë e trazirave në Francë, pasi të paktën 10 aeroporte u evakuuan të mërkurën pas kërcënimeve për bomba.
Nga ana tjeter dy shkolla në Flanders në Belgjikë, një supermarket, një bllok banesash dhe një shkollë në Wallonia u evakuuan pas një kërcënimi me bombë.
Në Flanders, studentët u dërguan në një qendër sportive, raportuan mediat belge, me policinë që vuri në dukje se ekspertët ishin në terren, si dhe një qen i trajnuar për të zbuluar eksplozivët.