Protestat masive kanë shpërthyer sot në disa vende arabe për të shprehur mbështetjen për palestinezët dhe për të denoncuar sulmet izraelite në Rripin e Gazës.
Të zemëruar nga sulmet ajrore izraelite në Gaza dhe sulmi shkatërrues në një spital në Gaza, demonstratat u zhvilluan për të dytën ditë radhazi në disa vende.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, qindra njerëz u vranë dhe u plagosën dje nga shpërthimi në spitalin “Al Ahli” në qytetin e Gazës.
Izraeli, i cili ka goditur Gazën me sulme ajrore hakmarrëse që kur militantët e Hamasit nisën një sulm të paprecedentë ndaj komuniteteve kufitare izraelite më 7 tetor, thotë se një raketë e gabuar nga organizata ekstremiste palestineze Xhihadi Islamik ishte përgjegjëse për shpërthimin, duke ofruar prova për të mbështetur pretendimin e saj.
“Në Tunizi, rreth 17 000 protestues u mblodhën pranë ambasadës franceze”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.
Protestuesit kërkuan dëbimin e ambasadorit francez për shkak të asaj që ata e përshkruan si “paragjykim” të Francës ndaj Izraelit.
Një tjetër demonstratë u zhvillua jashtë ambasadës amerikane në Tunis.
Jordanezët u mblodhën pranë ambasadës izraelite në Aman, ku mijëra prej tyre shprehën mbështetje për Gazën dhe bënë thirrje për dëbimin e ambasadorit izraelit në Jordani.
Siguria e rreptë u vendos në zonë, duke i mbajtur protestuesit në distancë nga ambasada pasi demonstruesit kishin tentuar ta sulmonin atë dje në mbrëmje.
Në Egjipt, u zhvilluan gjithashtu protesta në qytete të ndryshme në mbarë vendin, një pamje e rrallë në vendin e Afrikës Veriore, ku autoritetet kanë shtypur prej vitesh demonstratat.
Studentët e universitetit zhvilluan demonstrata në Kajro. Qindra të tjerë dolën në rrugë në qytetin jugor të Luksorit për të denoncuar përshkallëzimin ushtarak izraelit në Gaza.
Mijëra demonstruan protestuan në qytetin Al-Arish të Sinait, duke mbajtur flamuj egjiptianë dhe palestinezë.
Egjipti ishte vendi i parë arab që nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin në 1979, i ndjekur nga një traktat tjetër në 1994 i nënshkruar nga Jordania.
Shumë qeveri arabe dënuan Izraelin për sulmin e djeshëm në spitalin e Gazës, duke përfshirë Arabinë Saudite, Omanin, Egjiptin, Marokun dhe Jordaninë.