Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të kërkojë falje pasi takimi i tij me Presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale u shndërrua në atë që Rubio e përshkroi si një “fiasko”, ndërsa pyeti nëse lideri ukrainas dëshiron vërtet paqe në luftën e vendit me Rusinë.
“Ai duhet të kërkojë ndjesë për humbjen e kohës sonë me një takim që përfundoi në këtë mënyrë,” tha Rubio në një intervistë për CNN.
Ai shtoi se “Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk e sheh të mundur diskutimin për garanci sigurie për Ukrainën pa arritur më parë një marrëveshje paqeje”.
“Pse duhet të flas për garanci sigurie për Ukrainën? Së pari, më lini të arrijmë një marrëveshje paqeje”, tha Rubio, duke përcjellë qëndrimin e Trump.
“Kjo nuk do të thotë”, shtoi ai, “që garancitë nuk mund të përfshihen si pjesë e negociatave, por më parë duhet të ketë një marrëveshje. Çfarë paqeje ka për të garantuar nëse nuk ka ende një marrëveshje paqeje?”
Agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, tha se Trump nuk është i interesuar të rishikojë marrëveshjen për mineralet e rralla me Ukrainën për momentin. Sipas këtij zyrtari, përfaqësuesit e delegacionit ukrainas “filluan të luteshin” për të firmosur marrëveshjen menjëherë pasi u ftuan të largoheshin nga Shtëpia e Bardhë.
Po ashtu, agjencia Interfax raportoi se Trump deklaroi se Ukraina duhet të drejtohet nga dikush që është i gatshëm për paqe pas përplasjes në zyrën ovale.