Katastrofa më e madhe diplomatike/ The Guardian: Trump dhe Vance grupohen për të bullizuar liderin e Ukrainës

1 Mars 2025, 08:18Pikëpamje SHKRUAR NGA DAVID SMITH
Zelensky, Trump dhe Vance

David Smith – The Guardian

“Kjo do të jetë një shfaqje e mrekullueshme në televizion”, – tha në fund Donald Trump. Sigurisht. Edhe kapiteni i Titanikut ndoshta i siguroi pasagjerët e tij se ajo që po ndodhte do të bëhej një film i mrekullueshëm një ditë.

Trump sapo udhëhoqi një nga katastrofat më të mëdha diplomatike në historinë moderne. Temperatura u acarua, zërat u ngritën dhe protokolli u bë copë-copë në atë që dikur ishte i shenjtë në Zyrën Ovale. Kur Trump u përfshi në një sherr me të bërtitura me Volodymyr Zelenskyy të Ukrainës, Evropa e tmerruar pa se si rendi i pasluftës së dytë botërore po shkatërrohej para syve të saj.

Asnjëherë më parë një president i SHBA-së nuk ka bullizuar dhe kritikuar një kundërshtar, për më tepër një aleat, në një mënyrë kaq publike. Sigurisht, yllit të televizionit të “reality show” dhe tifozit të shfaqjeve sportive, i kthyer në president të SHBA-së, gjithçka iu shfaq në televizion për të mirën e bazës së tij të mbështetjes populiste dhe për bërë krenarë ata në Kremlin.

Zelenskyy kishte ardhur në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një marrëveshje për përfshirjen e SHBA në industrinë minerale të Ukrainës, për t’i hapur rrugën fundit të luftës trevjeçare me Rusinë. Kishte një aluzion kur ai mbërriti në West Wing, i veshur me të zeza, jo me një kostum dhe Trump e përshëndeti atë me një shtrëngim duarsh dhe sarkazëm: “Uau, shiko, të gjithë jeni të veshur!”

Brenda Zyrës Ovale, e cila ka parë shumë, por kurrë diçka të tillë, Zelenskyy falënderoi Trump për ftesën. Në fillim gjithçka kishte ëmbëlsi dhe fjalë të përgjithshme derisa nisën të bëjnë pyetje nga gazetarët.

Pati edhe një kritikë të vogël rreth asaj se sa mbështetja e Evropës i ka dhënë Ukrainës, e cila përfundoi me buzëqeshje, një goditje lozonjare, por e mprehtë ndaj Zelenskyy derisa u arrit te fjala ogurzezë e nxjerrë nga Trump: “Mos debato me mua”.

10 minutat e fundit të takimit gati 45-minutësh kaluan në acarim dhe kaos. Zelenskyy e gjeti veten të nxjerrë në pritë nga Trump dhe nënpresidenti i tij gjarpëror, JD Vance. Ky i fundit pritej të rrinte dhe të dëgjonte, por ai refuzoi.

Vance tha se qasja e Joe Biden kishte dështuar dhe se diplomacia ishte rruga e duhur përpara. Zelenskyy e sfidoi “JD” për këtë, duke vënë në dukje shkeljet e marrëveshjeve të bëra me Rusinë në të kaluarën.

Vance, i cili dikur ka deklaruar se nuk i intereson çfarë ndodh në Ukrainë, u mërzit. Ai i tha Zelenskyy duke i ngritur gishtin: “Zoti President, me respekt. Mendoj se është mungesë respekti për ju që të vini në Zyrën Ovale për të provuar ta diskutoni këtë para mediave amerikane.”

Uh-oh. Politikanët dhe gazetarët në dhomë me siguri mund të mendonin se kjo po dilte nga shinat. Në një moment ambasadorja e Ukrainës vendosi duar në kokë. Ajo ishte të gjithë ne.

Zelenskyy u përpoq të tërhiqej, duke pyetur nëse Vance kishte qenë ndonjëherë në Ukrainë. Vance u zemërua dhe foli për “turne propagandistike”. Zelenskyy u përpoq të përgjigjej, por Trump ndërhyri: “Mos na tregoni se çfarë do të ndjejmë”.

Burrat debatonin me njëri-tjetrin. Duke ngritur zërin, presidenti tha: “Nuk i keni ju kartat tani.”

Zelenskyy u përgjigj: “Unë nuk jam duke luajtur letra.”

Trump, duke drejtuar gishtin akuzues dhe duke treguar anën e tij më të keqe të debateve presidenciale e paralajmëroi: “Ju jeni duke luajtur kumar me jetët e miliona njerëzve. Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore dhe kjo që po bëni është shumë mungesë respekti për vendin, këtë vend që ju ka mbështetur shumë më tepër se sa shumë njerëz thonë se duhet të kishin.”

Një vërejtje: Trump ka shpenzuar kaq shumë tubime në fushata duke paralajmëruar për luftën e tretë botërore saqë fraza ka humbur vlerën e saj tronditëse.

Trump dhe Vance u përpoqën të qortonin Zelenskyy si një fëmijë mosmirënjohës. Vance, i cili kohët e fundit shkoi në Mynih për të kritikuar Evropën si në anën e gabuar në luftërat kulturore kërkoi: “A keni thënë një herë “faleminderit”?”

Zelenskyy u përpoq të përgjigjej. Trump i tha atij se vendi i tij ishte në telashe të mëdha. Ai vazhdoi: “Problemi është se unë ju kam fuqizuar të jeni një djalë i fortë dhe nuk mendoj se do të ishit një djalë i fortë pa Shtetet e Bashkuara dhe njerëzit tuaj janë shumë të guximshëm. Por, ju ose do të bëni një marrëveshje ose ne jemi jashtë”.

“Dhe nëse jemi jashtë, ju do të luftoni vetëm dhe nuk mendoj se do të jetë bukur… Por ju nuk jeni aspak mirënjohës dhe kjo nuk është një gjë e mirë.”

Zelenskyy dukej i tronditur dhe Trump tha se çfarë shfaqje e mrekullueshme do të ishte.

Asnjë marrëveshje nuk u arrit dhe një konferencë e planifikuar për shtyp u anulua.

Zelenskyy u largua duarbosh, pasi sapo kishte duruar Çernobilin e tij diplomatik. Për sa i përket pjesës tjetër të Evropës, një bust i Winston Churchill, që duket mbi supet e Trump dhe Vance, mund të ketë derdhur një ose dy lot.

Video