LaCivita dhe lastrokët mediatikë

20 Shkurt 2025, 09:55Pikëpamje SHKRUAR NGA ARDIAN VALBONA
Chris LaCivita dhe Sali Berisha

Nga Ardian Valbona

Arrestimi i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit shqiptar, z. Erion Veliaj ndodhi në të njëjtën ditë me njoftimin e PD-së se kishin marrë si këshilltar për fushatën e ardhshme elektorale një shtetas amerikan me emrin Kristofer Laçivita, i cili paska qenë njëri nga drejtuesit e fushatës elektorale të presidentit aktual amerikan, z. Donald Tramp.

Për çdo mendje normale, nuk ka dyshim se marrja me qira e një amerikani për fushatë elektorale në Shqipëri, një vend për të cilin italo-amerikani LaCivita as e dinte se ku binte deri dje, nuk ka si qëllim marrjen e mendimeve dhe këshillave të tij mbi mënyrat dhe mjetet që opozita do të përdor në fushatë elektorale. Jo, njohuritë dhe hiletë e fushatave elektorale në Shqipëri i zotëron në një shkallë shumë më të lartë plaku Sali Berisha, drejtuesi, manipuluesi dhe dhunuesi i shumë e shumë fushatave elektorale, sesa amerikani Laçivita, njohuritë dhe aftësitë më të mëdha të të cilit lidhen me biznesin e tij si matrapaz propagandistik në shërbim të kujtdo që i ofron paratë. 

Thirrja dhe pagesa e Laçivitës janë thjesht një mjet mashtrues propagandistik për të sugjestionuar shqiptarin e zakonshëm dhe, sidomos, shqiptarin mendjelehtë, se, meqë Laçivita ka marrë pjesë në drejtimin e fushatës së Trampit, ky na qenka i dërguari i presidentit Tramp për t'iu thënë shqiptarëve se për kë duhet të votojnë. Pikë së pari, Laçivita, si qindra e mijëra biznesmenë pa din e iman në botë, përfaqëson vetëm veten dhe biznesin e tij dhe askënd tjetër. Si i tillë, ai, edhe sikur të ishte Hitleri gjallë dhe ta paguante, do të bënte çmos t'ua paraqiste gjermanëve Hitlerin si demokratin më të madh dhe shpëtimtarin e Gjermanisë. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, shqiptarët e njohin plakun gojështhurur dhe të inkriminuar Sali Berisha, ashtu si të gjitha figurat politike shqiptare, shumë më mirë se çdo i huaj, evropian apo amerikan qoftë. Ka qenë në fillim të viteve '90 një amerikan tjetër, madje përfaqësues i qeverisë amerikane dhe jo thjesht biznesmen, i quajtur Rajerson i cili dilte në fushatë elektorale krah Sali Berishës dhe jo pak shqiptarë u sugjestionuan. Sugjestionimi i atëhershëm ishte i justifikuar për shkak të rrethanave dhe, sidomos, sepse shqiptarët s'e njihnin ende kush ishte sharlatani Sali Berisha. Tani, që kanë kaluar mbi tri dekada dhe shqiptarët e njohin Saliun më mirë sesa njohin familjarët e tyre, e njohin si mashtrues, dhunues dhe ligjshkelës, opozitës nuk i bëjnë punë LaÇivitat, as Laçimpekat dhe as AlKaponet. Madje, individë si LaÇivita që vijnë nga Amerika dhe i thonë popullit shqiptar se "unë nuk punoj për komunistët dhe socialistët", kur gjithë populli e di se i vetmi ish-komunist që drejton forca politike në Shqipëri është Sali Berisha, vetëbëhen lolo dhe objekt talljeje nëpër kafene.

Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës nxori në pah edhe një herë batakun moral në të cilin pluskon ndërgjegjja e shumicës së shoqërisë shqiptare sot. Ky batak moral është lehtësisht i dukshëm jo vetëm tek politika, por edhe tek të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore, në mjekësi, drejtësi, media etj. Bazuar jo në njohuri juridike dhe as në idealizëm atdhetar, individë dhe grupe politike apo shoqërore vrapuan të komentojnë, "shpjegojnë", interpretojnë, mbështesin apo "asgjësojnë" një njeri që tashmë ndodhet në qelitë e burgut. Në të shumtën e herëve, qëndrimet e shfaqur kanë si shtytje përkatësitë partiake, fisnore, klanore, krahinore dhe, veçanërisht, interesat vetjake dhe kurrsesi idealizmin apo dëshirat për drejtësi. Jo pak prej opiniondhënësve të studiove televizive, po të ishin drejtues pushtetesh në Shqipëri do të ishin sjellë shumë më keq se të akuzuarit e sotëm.

Në këtë drejtim u shqua dhe vazhdon të shquhet media dhe njerëzit e saj, sidomos disa drejtues emisionesh televizive të cilët kanë mbi tri dekada që, me marifete dhe sipas situatave politike, i shërbejnë një banditi politik me emrin Sali Berisha. Metodat e tyre të stërholluara të shërbimit janë ose duke thirrur në studio televizive vetëm politikanë saliistë dhe gazetarë berishistë (Ylli Rakipi etj.), ose duke thirrur persona të kaheve e bindjeve të ndryshme politike por duke iu bërë bllok, ndërprerë fjalën apo kundërshtuar ata të thirrur në panel që nisin kritikat kundërberishiste (Blendi Fevziu, Grida Duma etj.).

Të thërrasësh në një emision opinionbërës katër gazetarë antipushtet që flasin, skërmiten dhe akuzojnë një njeri të pambrojtur që ndodhet i izoluar në burg dhe s'ka asnjë mundësi të shprehë mendimin, kundërshtimin apo provat e tij, kjo është palaçollëk qytetar, imoralitet profesional dhe shërbim i turpshëm politik, është burracakëri e skajshme. Alibia e mediave si mjete informimi, në shërbim të së vërtetës dhe qytetarëve në kësi rastesh bie turpshëm sepse çdo drejtues emisioni në raste të tilla do të duhej, të paktën, të kishte në studio edhe një përfaqësues të personit objekt analize ose mbrojtësin e tij ligjor. Diskreditimi i këtyre medieve dhe drejtuesve të emisioneve bëhet edhe më i madh kur aty thirren dhe iu merret mendimi " i kualifikuar " për luftën kundër korrupsionit disa ish-prokurorëve të larguar nga Vetingu si të korruptuar. Njëri prej tyre, që shetit studio më studio, iu thoshte shikuesve se " për arrestimin e një personi nuk ka fare rëndësi lidhja shkak-pasojë ", pra lidhja midis veprimeve apo mosveprimeve të të arrestuarit dhe pasojave të ardhura. Shakaxhi i madh, apo jo ?!

Televizionet shqiptare, për turpin e tyre, janë kthyer në arena cirku të së vërtetës dhe salla "gjyqesh popullore" ku, njerëz të frustruar intelektualisht dhe të tredhur moralisht i bëjnë gjyqin presë së radhës. Në panelin e drejtuar nga Ylli Rakipi ishin thirrur katër individë (jo vetëm një herë) të cilët viheshin në garë kush e bën më mirë pretencën e, madje, edhe jep vendimin kundër Veliajt. Një njeri me emrin Pano Soko, ndërsa hapte sytë si i çakërdisur dhe lëvizte gjymtyrët si i kapur nga ngërçi epileptik, pa qenë jurist jepte konkluzione juridike dhe gënjente duke pohuar se e vetmja arsye pse u arrestua Veliaj ishte fakti se iu ka bërë presion prokurorëve, por nuk shpjegoi se cila ishte përmbajtja e "presionit". Soko nuk e dinte se t'i thuash prokurorit të mos i telefonojë bashkëshortes, por t'i dërgojë fletëthirrje, sipas ligjit, për ta pyetur, nuk është presion por një e drejtë njerëzore dhe ligjore.

Ra në sy pasioni, arroganca dhe urrejtja e gazetares Klodiana Lala, e cila fliste rreth çështjes Veliaj me "kompetencë" dhe vetësiguri më të madhe se vetë prokurorët e SPAK-ut. Dhe, jo vetëm kaq, por më e çuditshmja dhe e turpshmja ishte se shtirej si shumë e prekur nga ngjarja tragjike e vdekjes së një fëmije që mblidhte kanoçe në landfillet e Tiranës. Ngjarja në fjalë ka qenë tragjike, por nuk kuptohet ç'lidhje ka ajo me kryetarin e bashkisë dhe, më e rëndësishmja, ne nuk e kemi parë Lalën kaq të revoltuar dhe "të prekur" kur janë vrarë 27 shtetas në Gërdec (të cilin vetë Berisha e ka pranuar se ishte krim shtetëror) dhe as kur u vranë katër protestues të pafajshëm në 21 janar në bulevard, as kur u sulmua me armë KQZ në  vitin 1997 e u vra një i ri, as kur u sulmuan institucionet shtetërore me tanke e mitraloza në vitin 1998 etj.etj. Pse ?!

Duke bërë të revoltuarën ajo u shpreh me gojë dhe me duar, me urrejtje: Le të rrijë atje në burg, mirë e ka! Duke parë emisione të tilla televizive lindin disa pyetje: Këto emisione kanë si qëllim diskutimin e ngjarjeve, situatave e fenomeneve, apo janë "gjyqe popullore" si dikur? Çfarë i shtyn gazetare si Lala etj. të vetëshfaqen si militante politike pa dinjitet kur mund të shprehin mendimet dhe vlerësimet e tyre mbi ato që dinë?! Çfarë e konsideron veten Lala kur i thotë Kryeministrit: Tani e ke radhën ti!? Njeriu që mban qëndrime të dyfishta dhe përdor standarde të shumëfishta kundrejt ngjarjeve e fenomeneve të ngjashme nuk mund të na shitet si idealist/e, pasi njerëz të tillë kanë deficite të mëdha morale.

Gazetarët dhe opinionistët e studiove nuk duhet të ngatërrojnë perceptimet e tyre si qytetarë me vlerësimet juridike, të cilat jo rrallë kanë qenë të gabuara në çështje penale, jo vetëm tek ne por edhe në vende të zhvilluara e me eksperiencë si SHBA apo vendet e Evropës Perëndimore. Si qytetar, edhe unë kam perceptimin se kjo qeverisje, ashtu si të tjerat para saj, është e korruptuar dhe z. Veliaj, si pjesë e saj, nuk mund të jetë "flori 24 karatësh". Mirëpo, kur vjen puna tek vlerësimet juridike, aty nevojiten jo vetëm prova por edhe vërtetimi i lidhjeve shkak-pasojë, ana subjektive dhe objektive.

Për të mos shkuar më gjatë, në rastin Veliaj janë të paktën dy konkluzione juridike të gabuara (të pavërtetuara) të SPAK-ut. Shpallja e Veliajt pronar i vilës vetëm pse ka shkuar e qëndruar atje disa herë është marrëzi juridike. Po të ishte kështu, edhe Berisha mund të shpallej shumë lehtë pronar i vilës së të bijës në Lalëz. Nëse qëndrimi i përkohshëm, apo i vazhdueshëm i dikujt në një banesë mjafton për ta shpallur atë pronar të saj, atëherë ata që patën ndërtuar shtëpi pa leje s'do të kishin nevojë për të paraqitur dokumente dhe as për të kërkuar legalizimin e tyre nga shteti.

Nga ana tjetër, SPAK duhej ta fillonte hetimin nga verifikimi i ligjshmërisë në tenderat e dhënë nga bashkia biznesmenëve të akuzuar dhe në gjetjen e ndonjë marrëveshjeje me gojë ose me shkrim midis Veliajt dhe atyre për transferime parash në formë blerjeje apo sponsorizime aktivitetesh, përndryshe askush nuk jep llogari për çfarë blen, shet, sponsorizon etj. për aq kohë sa e bën me paratë e veta të ligjshme, pavarësisht se paratë i ka fituar nga tenderat e ligjshëm apo veprimtari të tjera të ligjshme tregtare.

Në rastin Veliaj janë një sërë veprimesh që shkaktojnë dyshime të mëdha: Si mundet që mbi bazën e një kallëzimi anonim SPAK e "heton" dhe konkludon një çështje shumë më shpejt se çështjet me kallëzues real? Pse kërkohet arrestimi i kryetarit të bashkisë dhe drejtuesit të fushatës elektorale të kryeqytetit pikërisht sapo ka filluar fushata?! Pse GJKKO, KLP, KLGJ etj. në sinkron ankohen për "ndërhyrje e presion" ndaj drejtësisë kur Kryeministri thjesht shpreh opinionin e tij se nuk ka prova për çështjen në fjalë, ndërsa kur një politikan tjetër, i akuzuar nga SPAK për korrupsion, i fyen prokurorët e gjykatësit, i kërcënon me heqje nga puna dhe me burg (sapo të vijë në pushtet, deklaron botërisht), i shpall "organizatë kriminale" e banditë dhe premton "zhdukjen e SPAK-ut" askush nuk bëzan?! Si mundet që një drejtues i opozitës e merr vesh arrestimin e Veliajt pa ndodhur dhe pa u njoftuar nga SPAK?! A iu duhet shqiptarëve një drejtësi propaganduese, krahas mediave linçuese?! Ç'punë ka SPAK me krijimin e "task forcë" për zgjedhjet kur ai është thjesht një organ hetimor, i cili dallon nga prokuroritë e tjera vetëm për shkak të kompetencave lëndore dhe, si i tillë, vendi i tij është në zyra duke pritur dhe ndjekur çdo kallëzim që mund të vijë nga individë apo subjekte politike?!

Nëse SPAK e nisi procesin hetimor ndaj Veliajt duke i bërë "veting" pasurisë së tij, pse s'e bën këtë gjë edhe me politikanët e tjerë?! P.sh. pse nuk e heton pasurinë e një politikani rural dhe tribal, të dhunshëm dhe të unshëm (uritur) me emrin Flamur Noka, i cili erdhi dikur me opinga nga katundet e Kukësit dhe, sapo u gradua Ministër i Brendshëm, u bë (ai dhe fisi i tij) me apartamente, toka dhe vila nga Tirana në Sarandë?! Madje vilën e tij e bëri publike një "Nesti Angoni" i PD-së, i mirënjohuri Gazmend Bardhi. Sa lloj kriteresh ka SPAK në ndjekjen e veprimtarisë kriminale?

Çdo shqiptar normal duhet ta përkrahë Reformën në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO por kjo s'do të thotë se nuk lejohen kritikat ndaj tyre. Ato nuk janë Perëndia. Pavarësi do të thotë të mos jepen dhe as pranohen urdhra lidhur me përfundimin e hetimeve dhe dhënien e vendimeve gjyqësore, dhe të mos lejohen kanosjet e prokurorëve e gjykatësve nga bota e krimit, por shprehja e mendimeve, vlerësimeve dhe kritikave brenda etikës janë pjesë e lirisë së shprehjes së mendimit. Organet e drejtësisë janë pjesë e shoqërisë shqiptare dhe si të tilla, ku më shumë e ku më pak, vuajnë nga të njëjtat vese e "sëmundje" si ne. Kjo do të thotë se as ata nuk janë të imunizuar nga korruptimi moral dhe, sidomos, ai politik.

 

Video