Homazh për Inxhinier Murat Klosin

8 Shkurt 2025, 09:10Pikëpamje SHKRUAR NGA DR. ING. VLADIMIR AGALLIU
Murat Klosi

Dr. Ing. Vladimir Agalliu

Dje, në datën 06 Shkurt 2025, u përcoll për në banesën e fundit, njëri prej specialistëve dhe figurave më të shquara të hidroteknikës e te Bonifikimeve (përmirësimeve ujore) në Shqipëri, Bashkëpunëtori Vjetër Shkencor, Ing. Murat Klosi.

 E kam për nder, por e ndjej  edhe si detyrë që në emër edhe të Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë të Shqipërisë, të shpreh  dy fjale zëmre,  si homazh në këto dite te dhimbshme për ndarjen nga jeta  të këtij specialisti të shquar të vendit tonë.

Kam patur fatin ta njoh qysh në fillim të vitit 1972,( 53 vjet më përpara) në një prej kantiereve të shumta të bonifikimeve, që ishin ngritur e që i gjëje pothuajse në të gjithë  Shqipërinë, ku punohej për ndërtimin e mjaft veprave hidroteknike, (kanalet kullues të kënetave e kanale ujitës, diga me gravitet të madhësive të ndryshme, për krijimin e rezervuarëve të nevojshëm për ujiten, etj). Dhe, me bindje e them se, kontributi,  angazhimi dhe shpesh herë edhe prezenca e Ing. Klosit në këto vepra ishin gjithnjë të konsiderueshme.

Pikërisht në ketë kohë, në vitin 1970,  me iniciativën e Ing. Murat Klosit ishte ngritur e ish krijuar,  më vehte Instituti i Studimeve e Projektimeve të Bonifikimit (ISPB) ku Ing. Klosi ishte emëruar Drejtor i këtij Instituti.

Janë dhjetëra e dhjetëra projekte e vizatime të veprave hidroteknike (kryesisht për bonifikime e ujitje) ku, stampat e këtyre projekteve mbajnë edhe firmën e Ing. Murat Klosit jo vetëm si titullar i Institutit por edhe si projektues i mirëfilltë i mjaftë prej këtyre veprave.

Pa ekzagjerim unë do të thosha se lista e këtyre veprave është mjaftë e gjatë por në këto radhë do të përmendja se:

       -Ing. Murat Klosi ka qenë ideator e projektues për Ujitjen e Mallakastrës nëpërmjet Digave te rez te Lumares nr 1 dhe Diga e rez. të Lumares nr.2, si dhe një sistem kanalesh ujitës me gjatësi prej disa dhjetëra km. Duhet vënë në dukje se diga e  rezervuarit të Lumares Nr 1 është nj’dig’ me lartësi 60 m dhe është diga më e lartë në Shqipëri si digë në sistemin e ujitjes).

        Me rëndësi , edhe aktuale është projektimi i rezervuarit të Farkës në Tiranë që mban autorësinë e Ing. Klosit e që aktualisht e ka kthyer atë zonë të Tiranës në një zonë shumë atraktive për banorët e kryeqytetit.

       Për veprimtarinë e tij studimore e shkencore me Vendim të Komisionit të lartë të atestimit Ing. Murat Klosit i është dhënë grada shkencore : “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor”, kurse me Vendim të Këshillit të Ministrave i është akorduar Çmimi I Republikës I Shkallës së Parë.

Gjithashtu, edhe këshilli Bashkiak i Mallakastrës  i ka dhënë Titullin “ NDERI I MALLAKSTRËS”  , 

Për mua, por edhe për mjaftë shokë e kolegë të kësaj  fushe,  devotshmëria dhe përkushtimi i Ing. Klosit për studimin , projektimin dhe shpesh herë edhe ndjekjen nga afër, të zbatimit të punimeve, në një sërë veprash të rëndësishme hidroteknike të ndërtuara në mbarë vendin tonë, kanë qene gjithnjë një shembull frymëzimi e referimi , të cilat unë nuk do doja ti harroja por do  doja të sugjeroja  që këto virtyte të ishin një shembull  frymëzimi edhe për brezat tanë.

Me pikëllim të thellë i shpreh lamtumirën, Inxhinier Klosit por me bindje të plotë, se, vepra e tij nuk do të harrohet.

Faleminderit ing. Murati

Dr. Ing. Vladimir Agalliu

Anëtar i bordit drejtues, SHOQATA E INXHINEREVE KONSULENTE TE SHQIPËRISË.

Video